Rrugorët e kryeqytetit kanë monitoruar të gjitha njoftimet e adresuara nga qytetarët, në aplikacionin “Komisariati Dixhital”, një pjesë e të cilave janë edhe për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, si ushtrim aktiviteti të palicencuar nga mjetet e përdorimit vetjak, shkelje të sinjalizimit rrugor, gara shpejtësie, parakalime të gabuara etj.

Shumica e njoftimeve janë mbi informalitetin në fushën e transportit publik, kryesisht në zonat periferike të kryeqytetit apo rrugë në të cilat prezenca fizike e Policisë është më e reduktuar. Falë aplikacionit, qytetarët kanë mundësinë që të jenë “Syri i Policisë” edhe në zonat më të largëta.

Falë njoftimeve të sakta të adresuara në Komisariatin Dixhital, rrugorët e kryeqytetit këtë javë kanë mundur të identifikojnë në kohë dhe të procedojnë administrativisht 432 drejtues mjetesh, konkretisht:

31 drejtues të automjeteve të ndryshme, të cilat janë denoncuar për ushtrim aktiviteti të palicencuar në fushën e transportit publik ose jo në përputhje me kushtet dhe kufizimet e licencave;

22 drejtues automjetesh për shkelje të sinjalizimit të ndritshëm (semafor);

123 drejtues automjetesh për qarkullim në korsitë e shërbimit publik;

46 drejtues automjetesh për parakalime të gabuara;

19 drejtues automjetesh për veprime të rrezikshme dhe gara shpejtësie;

191 drejtues automjetesh për shkelje të tjera të rregullave të ndryshme të qarkullimit rrugor.

Ndërkohë, në të gjithë vendin, gjatë kësaj jave, si rezultat i denoncimeve të qytetarëve në Komisariatin Dixhital, janë ndëshkuar me masë administrative 1994 drejtues automjetesh, për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re