Komisioneri Publik njoftoi ankimin e vendimit të KPK që kishte konfirmuar në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Apelit të Vlorës, Sokol Ngresi. Në ankim e fokusuar te problemet e pasurisë, kërkohet rivlerësim për të tre kriteret dhe shkarkimi i Ngresit.

Nga Vladimir Karaj

Komisioneri Publik Florian Ballhysa njoftoi të enjten ankimin ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të konfirmuar në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Vlorë, Sokol Ngresi. Në njoftimin e ankimit Komisioneri thotë se kërkonte nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit rivlerësim në të tre kriteret, por ankimi është fokusuar në kriterin e pasurisë.

Ballhysa thotë në ankim se Ngresi kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm të pasurive, kryesisht në lidhje me gjendjen e kursimeve cash në vitin 2003 dhe për blerjen e dy makinave, ndërsa kërkon që Ngresi të shkarkohet nga KPA.

“Duke marrë për bazë gjendjen e fakteve dhe të provave në rastin konkret dhe të ligjit të zbatueshëm, Komisioneri Publik ndan gjykim të kundërt, pasi vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë”, thuhet në ankim.

Sokol Ngresi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në fillim të viteve 2000 dhe e ushtron funksionin si gjyqtar i Gjykatës së Apelit Vlorë prej vitit 2005. Në vitin 2014, ai u dekretua nga presidenti Bujar Nishani si anëtar i Gjykatës së Lartë, por ky vendim nuk mori pëlqimin e mazhorancës në Kuvend.

Aktualisht, Ngresi është kandidat për Gjykatën e Lartë në procesin që po zhvillohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Ai u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në një vendim të dhjetorit 2020, nga një trupë e kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relatore Suela Zhegu dhe anëtar Lulzim Hamitaj.

Komisioneri Publik arsyeton në ankim se qëndrimi i Komisionit mbi problemet e hasura në pasuritë e Ngresit është në kundërshtim me vendimet e marrë më herët nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit mbi të njëjtat probleme.

Duke iu referuar faktit se Ngresi nuk kishte deklaruar në vitin 2003 dhe vitin 2010 gjendjen cash para fillimit të detyrës dhe kishte deklaruar një cash prej 18 mijë eurosh në vitin 2004 dhe një shumë prej 20 mijë eurosh të përdorur në blerje apartamenti në vitin 2012. Komisioneri thotë se deklarimi i kësaj gjendje cashi nuk ishte i saktë dhe se Ngresi kishte dhënë shpjegime kontradiktore mbi burimin e saj, duke deklaruar njëherë zotërimin e 18 mijë eurove prej tij dhe bashkëshortes dhe në një rast tjetër se gjysma e kësaj shume zotërohej prej prindërve të tij.

“Në këto rrethana, kur konstatohet se subjekti i rivlerësimit nuk ka deklaruar kursime në cash në Deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës, dorëzuar në datën 19.3.2010, duket se subjekti i rivlerësimit nuk provon mbulimin me burime të ligjshme të shumës prej 20.000 euro”, shprehet Komisioneri.

Ballhysa u referohet disa vendimeve të Kolegjit sipas të cilave e vetmja provë e kursimeve cash jashtë sistemi bankarë janë deklarimet e vetë subjekteve të rivlerësimit dhe mos deklarimi i këtyre kursimeve e bënë të pamundur verifikimin e ekzistencës së tyre. “Deklaratat e interesave private periodike vjetore, të cilat konsiderohen provë në procesin e rivlerësimit, në zbatim të nenit 32, pika 5 e ligjit nr. 84/2016, dhe së bashku me Deklaratën “Vetting” përbëjnë të vetmen mënyrë verifikimi të ekzistencës së kësaj pasurie në funksion të procesit të rivlerësimit”, citohet nga Komisioneri vendimi i Kolegjit ndaj ish-Prokurorit të Apelit të Tiranës Dritan Peka.

Komisioneri Publik vlerëson po ashtu se nuk kishte dokumente provuese në lidhje me kthimin e një shume prej 6 mijë euro nga një kompani ndërtimi pas prishjes së një kontrate prenotimi dhe po ashtu pamundësinë për të kursyer një shumë prej 4 mijë eurosh në vitin 2015 edhe sikur familja të kishte përdorur për këtë të gjitha paratë e fituara nga pagat në atë vit.

Komisioneri vë në dukje probleme edhe në blerjen e dy makinave. Një Skoda Yeti e blerë në vitin 2009 për 14.500 euro dhe një Fiat i blerë për 8800 euro në vitin 2008. Komisineri vë në diskutim burimin për këtëo pasuri nisur nga vetë deklarimet e Ngresit. Sipas Komisionerit Komisioni nuk ka vlerësuar si duhet pasaktësinë në deklarimin për shitjen e një makine Benz.

Komisioneri thotë se makina ishte deklaruar njëherë e shitur për 5 mijë euro dhe më pas për 7 mijë euro, ndërsa për të ishte paguar vetëm çmimi i zhdoganimit pasi kishte qenë dhuratë nga kushërinjtë e Ngresit. Komisoneri Publik thotë se gjyqtari nuk provonte pagesën e detyrimeve tatimore për fitimin me të cilin ishte shitur makina.

Po ashtu edhe në blerjen e Fiatit ishte përdorur shitja e një makine tjetër Benz, por Komisioneri thotë se nuk ishin deklaruar burimet e ligjshme për blerjen e kësaj makine të shitur më pas për të blerë Fiatin.

Në fund të ankimit në të cilit kërkohet rivlerësim edhe në dy kriteret e tjera Komisioneri arsyeton se Ngresi “ka kryer deklarim të pamjaftueshëm dhe të pasaktë për kontrollin e pasurisë”.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re