Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” do të jetë sërish në fokus të autoritetit të konkurrencës, për shkak të tarifave që aplikon. Gjatë këtij viti konkurrenca thotë se do të nisë një hetim të thelluar. Në raportin vjetor të 2019-es autoriteti evidenton disa gjetje të kryera nga kompania audituese e pavarur mbi koncesionin e aeroportit, gjetje të cilat do të merren në konsideratë gjatë hetimit. Edhe raporti i auditimit ka konkluduar mbi tarifat e larta që aplikon koncesionari.

 

Sipas raportit të Rishikimit të Pavarur Ekonomik të Kontratës Koncesionare të TIA-s, vërehet se tarifat për shërbimet në tokë dhe ato për uljen dhe ngritjen e avionit janë dukshëm më të larta se sa normat e paraqitura në planin e biznesit të kompanisë.

 

Raporti evidenton atë që edhe më herët është thënë se tarifat e aeroportit janë dukshëm më të larta se vendet fqinje.

 

Në përfundim të periudhës së vlerësimit duket se TIA ka patur rritje të fitimeve si pasojë e të ardhurave të siguruara nga rritja e volumit të pasagjerëve dhe rritja e normës së menaxhimit të trafikut ajror, krahasuar me vendet e tjera. Si konkluzion i Rishikimit të Pavarur Ekonomik të Kontratës Koncesionare të TIA-s, normat e fitimit të kompanisë TIA janë më të larta se të vendeve fqinje.

 

Në gjetjet e audituesit të pavarura thuhet gjithashtu se nga anekset e kontratave nuk arrihet të evidentohet nëse tarifat janë të mbështetura në ndonjë metodologji të përcaktimit të tyre, si dhe nuk jepen detajime te kostove dhe elementeve përbërës, fakte këto që ngrenë pikëpyetje për mënyrën se si janë përcaktuara tarifat e shërbimeve. Për të gjitha këto arsye, konkurrenca do të hetojë dhe me pas të rekomandojë për qeverinë hapat qe duhet të ndërmerren.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re