Shoqëritë publike jo në pak raste kritikohen nga rregullatorët për mënyrën sesi bëjnë emërimet apo largimet në stafet e tyre, por duket se të njëjtin konstatim ka edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Në përmbledhjen e raportit të vitit të shkuar, një ndër pikat që KLSH trajton lidhet me problemet që janë gjetur gjatë auditimeve në këto shoqëri, të cilat janë të natyrave të ndryshme, por sërish gjithçka nis me rekrutimet.

“Në auditimet e shoqërive publike u shfaqën mangësi që lidhen me: Mungesën nga ana e shoqërive aksionere, të analizave ndaj problematikave me karakter rregullator, ekonomik dhe financiar; Problematika në fushën e rekrutimeve të stafit si: emërime, largime, pezullime, dorëheqje, ndryshime pozicioni dhe ndryshime page pa dhënë shpjegimet përkatëse, apo sistem diferencial dhe i pabazuar pagash; Shpenzime jo efektive të fondeve si pasojë e ndërprerjes së paligjshme të marrëdhënieve të punës”, thuhet në raportin e KLSH.

Ndërkohë duket se një tjetër element, i cili shfaqet problematik në shoqëritë publike janë procedurat e prokurimit.

Këto të fundit janë problematike në tërësi, sipas KLSH pasi gjatë 2022 auditimet kanë evidentuar raste të paligjshmërisë së fondeve publike me pasoja dëm ekonomik si pasojë e skualifikimeve të padrejta të operatorëve ekonomikë; vendosje të kritereve jo në përputhje me zërat e preventivit, si dhe mos argumentimi në procesverbal i kërkesave në lidhje me kategoritë e licencave, numrin e punonjësve dhe kategoritë e punësimit, numrin dhe llojin e mjeteve. E njëjta tendencë është vërejtur edhe tek shoqëritë publike.

“Problematika në procedurat e prokurimeve dhe zbatimin e punimeve lidhur me: favorizime të Operatorëve Ekonomikë, specifikime teknike që nuk garantojnë cilësinë e kërkuar, përzgjedhja e mënyrës së vlerësimit në kundërshtim me parimet e përcaktuara, si dhe përfitime të padrejta fondesh si rrjedhojë e likuidimit të punimeve/shërbimeve të pakryera; Për tregtimin e energjisë elektrike është kërkuar paraqitja e një çmimi fiks për sasinë në shitje apo blerje, pa u referuar në çmimin orar të bursës; Mos plotësim i regjistrit të aktiveve, etj.” thuhet në raportin vjetor të KLSH-së për vitin 2022.

Gjatë vitit 2022, nga Departamenti i Auditimit të Shoqërive Publike dhe Investimeve të Huaja, u realizuan gjithsej 26 auditime, nga të cilat 18 janë auditime të realizuara në Shoqëri Aksionare, 6 në projekte me financime të huaja dhe 2 auditime mbi zbatimin e rekomandimeve në auditimet e mëparshme.

Në nga auditimet e Departamentit gjatë periudhës janar – dhjetor 2022, janë adresuar gjithsej 807 rekomandime në institucionet e audituara, nga të cilat: 467 masa janë organizative, 136 masa disiplinore, 35 masa administrative, 74 masa shpërblim dëmi dhe 95 masa për menaxhimin me ekonomicitet, eficiencë dhe efektivitet të fondeve publike.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re