Tirana International Airport njofton se dy fluturime në Rinas janë prekur ditën e sotme nga protesta e kontrollorëve.

Sipas TIA, për shkak të mungesës së stafit në Agjencinë e Trafikut të Kontrollit Ajror u prekën fluturimet Athinë-Tiranë e Stamboll-Tiranë.

Gjithsesi, operimet kanë rifilluar në orën 09:55, me Athinë-Tiranë që pritet të riniset kurse Stamboll-Tiranë do të jetë 40 minuta me vonesë.

Ditën e djeshme 65 kontrollorë AlbControl në Rinas u futën në një protestë në heshtje, pasi kishin firmosur deklaratë për paaftësi në punë për shkak të stresit edhe nga pandemia.

Njoftimi i TIA:

Sot, më 7 Prill 2021, nga ora 9.23 deri në ora 09.55, orë lokale, janë ndërprerë operimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, për shkak të mungesës së stafit në Agjencinë e Trafikut të Kontrollit Ajror.

Dy fluturime janë prekur nga ky fakt, Aegean Airline me destinacion Athinë-Tiranë dhe Air Albania me destinacion Stamboll-Tiranë, që do të ketë 40 minuta vonesë.

Aegean Airline është kthyer sërish në Athinë. Operimet kane rifilluar në 09.55 dhe Aegean pritet të riniset për të sjellë pasagjerët në Tiranë.