Tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 dhe pandemia e Covid-19, kanë goditur rëndë ekonominë shqiptare.

Për ekspertin e ekonomisë në PD Dorian Teliti, pandemia tregoi shtetin prej kartoni që kemi, pasi edhe pse vendi përjetoi ditët më të vështira në 30 vjet, nuk pati ndihmë nga qeveria për njerëzit dhe bizneset.

Dorian Teliti: ”Tërmeti e rëndoi krizën, ndërsa pandemia e thelloi akoma dhe më tepër. Pandemia nxorri në pah shtetin prej kartonin që kemi, që edhe në ditë më të vështira të 30 viteve të fundit, fatkeqësisht nuk u ngrit në lartësinë e detyrës edhe në këtë moment kritik, për t’i ardhur në ndihmë njerëzve dhe bizneseve.”

Teliti tha se edhe para këtyre dy fatkeqësive, situate ekonomike ishte e vështirë, pasi falimentonin rreth 52 biznese çdo ditë.

Dorian Teliti: ‘’Kanë pasur shumë ndikim dhe do të kenë ndikim, por jo vetëm. Kriza ekonomike gjendje më parë në tryezën e shqiptarëve, edhe përpara pandemisë dhe tërmetit. Përsa i përket bizneseve, në nëntor të vitit të kaluar falimentonin 52 biznese çdo ditë. Bizneset janë rënduar çdo vit me rritje taksash, u rëndua me rëndesa proceduriale, u rëndua me tarifa dhe taksa lokale nga më të ndryshmet. Biznesi dhe konsumatori shqiptar, nuk gëzonin një shëndet të plotë përpara pandemisë dhe tërmetit.’’

Sipas Telitit, qeveria ka akorduar 100 milionë euro për daljen nga kriza, që i bie mesatarisht 7 euro për çdo person.

Dorian Teliti: ‘’Në kohë pandemie, vetëm 100 milion euro kishte për qytetarët. Ne mesatarisht kemi marrë 7 euro çdo muaj mbështetje nga qeveria për 5 muajt e pandemisë. Kjo është vlera. Vetëm kontributi i të gjithëve ne që punojmë dhe paguajmë taksa, është disa here më i lartë se ky 7 euroshi që na jep qeveria. Prandaj jemi në këtë derexhe ku jemi sot. Recesioni është i shtrirë anembanë Shqipërisë, jo vetëm në zonat rurale, por dhe në zonat më të suksesshme që më pare bëhej biznes.”

Teliti u shpreh se PD ndodhet në javët e fundit të hartimit të programit përfundimtar për ekonominë, që sipas tij, do mund tu bëjë ballë këtyre sfidave ekonomike në të ardhmen.

Dorian Teliti: ‘’Situata sot është kritike. Do të duhet shumë mund e kohë për rimëkëmbje por jo e pamundur. Ne kemi pasur një program ekenomiko-fiskal dhe financiar që e kemi prezantuar për biznesin dhe konsumatorët. Jemi në javët e fundit të hartimit programit përfundimtar, i cili do të jetë program realist, që do t’i japë zgjidhje sfidave të ndryshme që do të kalojë vendi.’’

/Ora News

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re