Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu i ka shkruar një letër kreut të LVV-së, Albin Kurtit, ku ndër të tjera e fton të inagurojnë ambasadën e Kosovës në Jerusalem.

Pak kohë më parë Izraeli njohu Kosovën dhe në kuadër të kësaj njohjeje, Kosova pranoi të hapte ambasadën e saj në Jerusalem.

Inagurimi i  ambasadës u bë në mënyrë virtuale, mirëpo kryeministri i Izraelit dëshiron që Albin Kurti të vizitojë Jerusalemin dhe të bëjnë inagurimin në mënyrë të drejtëpërdrejtë.

“E vlerësoj si shumë të rëndësishëm vendimin e Kosovës për të hapur Ambasadën në Jerusalem dhe iu pres në Izrael për  inaugurimin e saj”, ka shkruar Netanyahu.

Kjo shkaktoi mjaft zhurmë, sidomos te BE-ja, përfaqësues të së cilës ka shprehur keqardhje për vendimin e Kosovës që të hapë ambasadën e saj në Jerusalem, qytet të cilin BE-ja e konsideron me status të pazgjidhur.

“Në përgjithësi, është gjithnjë e mirëseardhur kur parterët tanë të jashtëm normalizojnë raportet mes tyre. Sidoqoftë, kur është fjala e hapjes së ambasadës në Jerusalem, ky është një vendim për keqardhje i Kosovës sepse e largon Kosovën nga qëndrimet e BE-së për statusin e Jerusalemit” ka  deklaruar me heret Peter Stano, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë dhe Siguri të Jashtme.

Në lidhje me këtë nga Lëvizja Vetëvendosje, ka pasur reagime të ndryshme. Glauk Konjufca ka thënë se nëse do të jetë kusht dhe kërkesë e Bashkimit Evropian, atëherë do të shqyrtohet si vendim.

Ndërsa, Haki Abazi ka deklaruar se në lidhje me këtë vendim ka shumë rëndësi qëndrimi i Bashkimit Evropian. Sipas tij Kurti duhet të ulet me Brukselin dhe Izraelin për ta zgjidhur këtë çështje.

“Është komplekse të diskutohet edhe në nivelin diplomatik se, qëndrimi i BE-së lidhur me atë se ku duhet të jetë pozicioni ambasadës, është shumë i rëndësishëm, sepse për Kosovën ka rëndësi qëndrimi i Bashkimit Evropian. Mendoj që qeveria Kurti do të ulet me sinqeritetin më të madh të bisedoj edhe me shtetin e Izraelit edhe me BE-në për të tentuar që të zgjidhet kjo nyje që është krijuar pa nevojë nga qeveria e kaluar,”- ka deklaruar Haki Abazi.

Njohja e Kosovës nga Izraeli erdhi si pjesë e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga administrata Trump në shtator.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re