Kur ende tre proceset më të rëndësishme për zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit, identifikimi biometrik, pilotimi i votimit e numërimit elektronik dhe mundësimi i votës së emigrantëve nuk janë përmbyllur si në elementët teknik dhe financiar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ulet në tryezë me gjithë partitë parlamentare.

 

Takimi i cili pritet të zhvillohet me kërkese të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, pa praninë e mediave, është cilësuar si këshillues në një moment kur afatet për mundësimin e teknologjisë dhe votës së emigrantëve, po ngushtohen.

 

Tre muaj e pak nga data e zgjedhjeve, ende nuk është shpallur kompania që do të mundësojë për herë të parë identifikimin biometrik. E vetmja që ka shfaqur interes është “Smartmatic” me një fond limit të vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve prej 19 milionë dollarësh.

 

Në fakt deri më qeveria shqiptare i ka mundësuar KQZ-së për identifikimin biometrik vetëm 20 për qind nga 2 miliardë lekët që ka kërkuar.

 

Procesi i pilotimit është edhe në një fazë më të vonë. Për të Komisioni Rregullator ende nuk ka një vendimarrje ku do të zbatohet. Deri më tani dy partitë kryesore ajo socialiste sugjeron Korçën ose pjesërisht Tiranën, ndërsa selia blu, Korçën ose Fierin. Për ketë projekt ende nuk është dhënë asnjë lek nga fondi 1 miliardë.

 

Vota e emigrantëve, edhe ky një proces i parashikuar për tu përmbushur në zgjedhjet e Prillit, është ne fazë fillestare, të diskutimit mes palëve. As mënyra e votimit, as kostoja financiare nuk është vendosur.

 

Për të treja këto procese që përmbushin detyrimet që imponon kodi i ri zgjedhor, përfaqësuesit e partive do të ulen për të shprehur qëndrimet apo diferencat mes tyre, me qëllimin që gjithçka e arritur në 5 Qershor mos të ndëshkohet jo vetëm për arsye financiare por edhe dakordësie politike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re