Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, policia e Shijakut në bashkëpunim me IKMT-në ka proceduar penalisht dhe ka gjobitur një 33 vjeçar, pronar i një punishtje në Shijak.

Uniformat blu bëjnë me dije se shtetasi D.M. është gjobitur me 20 milionë lekë gjobë pasi derdhte mbetjet e përpunimit të qumështit në ambient të hapur.

Ndër të tjera mësohet se gjatë operacionit ato kanë konstatuar mbetjet e një punishteje për përpunimin e qumështit derdheshin në ambient të hapur (tokë bujqësore), duke shkaktuar ndotje të mjedisit.

Njoftimi i plotë:

Operacioni nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me IKMT

Derdhte mbetjet e përpunimit të qumështit në ambient të hapur, procedohet në gjëndje të lirë pronari i punishtes.

IKMT ka ndëshkuar me gjobë subjektin

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, në bashkëpunim me IKMT-në, kanë vijuar kontrollet në Gjepalaj, Shijak, ku u konstatua se mbetjet e një punishteje për përpunimin e qumështit derdheshin në ambient të hapur (tokë bujqësore), duke shkaktuar ndotje.

Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak u procedua në gjendje të lirë pronari i punishtes, shtetasi D.M., 33 vjeç, banues në Krujë.

IKMT ka marrë masën admininistrative të dënimit me gjobë 2 milion lekë (të reja) ndaj subjektit, në lidhje me veprimtarinë e paligjshme të konstatuar.

Gjithashtu në ambientet pranë objektit u konstatua dhe një ndërtim i paligjshëm. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Ndotja e ajrit” dhe “Ndërtim pa leje”.

Policia e Shtetit dhe IKMT apelon për këdo të denoncojë shkeljet në mjedis dhe çdo paligjshmëri tjetër, në numrin falas 112 ose Komisariatin Dixhital.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re