Krimi nuk është as i fshehur, dhe as sekret. E aq më tepër kur bota është tërësisht e hapur dhe zhvillimi teknologjik përcjell informacion në kohë të rrufeshme.

Por, çfarë ndodhte para viteve 1990. Situata në Shqipëri ishte krejt ndryshe, pasi kufijtë ishin krejtësisht të mbyllur nga viti 1945 deri në 1990.

Në këtë ambient tërësisht të kontrolluar nga shteti, autoritetet duhet të kishin njohuri për çdo aktivitet të paligjshëm, dhe mbase mund të ishin edhe vetë të përfshira në këto veprimtari – thuhet në një raport të Nismës Globale kundër krimit të organizuar ndërshtetëror për vitin 2020.

Si rezultat i vështirësisë në thithjen e investimeve të huaja dhe infrastrukturës së dobët, Shqipëria ishte një nga vendet më të varfra të bllokut komunist.

Në përpjekje për të gjetur burime për thithjen e valutës së huaj, qeveria shqiptare nuk mundi t’i rezistojë një oferte të bërë në vitin 1966 për t’u përfshirë në kontrabandën e cigareve.

Plani ishte që të trafikoheshin për në Itali cigare të markave amerikane, dhe që atje këto cigare shpërndaheshin më tej në vende të tjera të Evropës, dhe në Lindjen e Mesme.

Ndërmjetësit zviceranë që bënë këtë ofertë kishin lidhje me mafian italiane, që po kërkonte korridore të reja trafikimi pasi operacionet policore në det ishin bërë më të efektshme. Sipas një ish-prokurori italian të antimafias, bosë mafiozë si Raffaelo Cutolo (kreu i Nuova Camorra Organizzata – Kamorrës së Re të Organizuar) arritën të kuptonin se kontrolli i shtetit pas Perdes së Hekurt ishte strikt vetën për çështje politike, por nuk përbënte ndonjë pengesë serioze për trafiqe të paligjshme, duke përfshirë edhe cigaret.

Qeveria shqiptare krijoi një zonë të lirë ekonomike që shërbente si pikë tranziti për kontrabandën e cigareve që vinin nga Shtetet e Bashkuara, dhe krijoi kompaninë Albtrans, që mendohet se administrohej nga Sigurimi i Shtetit, që siguronte mbarëvajtjen e punës në Shqipëri në shkëmbim të një tarife prej nëntë dollarësh amerikanë për koli.

Llogaritet se qeveria shqiptare ka grumbulluar rreth 35 milionë dollarë nëpërmjet kësaj veprimtarie gjatë periudhës 1968–1991. Si pasojë e kësaj veprimtarie deti Adriatik, që deri në atë kohë konsiderohej thjesht si “kufiri blu”, u transformua në një korridor shumë fitimprurës për në lindje për grupet kriminale italiane.

Nga ana tjetër qeveria shqiptare siguroi lidhje me rrjete ndërkombëtare, duke bërë tregti dhe duke thithur valutë të huaj.

Kjo ishte edhe zanafilla e “korridorit ballkanik” që do të zhfrytëzohej për aktivitete kriminale për dekada me radhë.

Gjatë viteve 1970 dhe 1980 shtetasit e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ) kishin një standard jete relativisht më të lartë se ata që jetonin në vende të tjera socialiste.

Mund të udhëtonin fare lirshëm në vende të tjera, dhe për pasojë shumë prej tyre zgjodhën të emigronin jashtë shtetit.

Në fakt, si ata që emigronin për punë jashtë vendit ashtu dhe punëdhënësit e tyre e kishin të qartë se kjo ishte diçka e përkohshme.

Disa prej tyre emigruan deri në Afrikën e Jugut, duke përfituar nga fushata e atij shteti për të tërhequr evropianë të bardhë me oferta të mira pune.

Po kështu, shumë njerëz emigruan jashtë vendit me kontrata pune sezonale. Shumë jugosllavë që emigruan jashtë vendit ishin punëtorë të zellshëm, respektues të ligjit, punëtorë pa arsim të lartë që kërkonin një të ardhme më të mirë.

Por ashtu si ndodh rëndom gjatë valëve të mëdhaja të emigrimit, kjo lëvizje njerëzish krijoi hapësira të reja për krimin.

Komuniteti i madh i punëtorëve mysafirë “krijoi një mjedis të përshtatshëm, ku persona të dyshimtë nga Jugosllavia mund të fshiheshin dhe të humbnin gjurmët kur i kërkonte policia”.

Këta element filluan të merreshin me veprimtari kriminale të nivelit të ulët, duke u marrë me zhvatje dhe shantazhe, si dhe me vjedhjen e dyqaneve të mallrave të luksit, shtëpive dhe kasafortave.

Kjo sjellje nuk kalonte pa rënë në sy të shërbimeve të sigurimit të shtetit. Në fakt, kriminelët nganjëherë nxiteshin nga vetë autoritetet që të emigronin.

Ata madje ndihmoheshin gjatë pajisjes me dokumente, duke iu dhënë pasaporta dhe dokumente të tjera udhëtimi.

Duke i ndihmuar që të dilnin jashtë vendit, autoritetet e ruajtjes së rendit siguroheshin që kriminelët nuk do të shkaktonin trazira në vendin e tyre.

Kjo lloj ndihme që i jepej kriminelëve i krijonte mundësi shërbimeve të sigurimit që t’i përdorte këto persona për misione të ndryshme, si vrasja e emigrantëve politikë.

Për shembull, Xhorxhe “Giska Bozhoviç, që njihej edhe si “mbreti i krimit në Beograd”, përdorej herë pas here nga shërbimet sekrete për të eliminuar disidentë politikë dhe armiq të shtetit.

Për shembull, ka zëra se ai planifikoi vrasjen e disidentit politik kroat dhe biznesmenit Stejpan Xhurekoviç në Gjermaninë Perëndimore në vitin 1983.(Shqip)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re