Shqipëria vijon të jetë një nga historitë më të suksesshme të turizmit në Europë. Sipas raportit të publikuar gjatë mbledhjes së 71-të të Komisionit për Europën të UN Tourism, vendi ynë shënon një rritje prej 136% të flukseve turistike në krahasim me periudhën para pandemisë.

Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale, e cilësoi këtë si një tjetër konfirmim ndërkombëtar për suksesin e modelit shqiptar të turizmit, të ndërtuar mbi vizionin e turizmit të qëndrueshëm, që ishte edhe në qendër të diskutimeve të kësaj mbledhjeje.

Shqipëria mori pjesë në këtë takim si anëtare me të drejta të plota, ku, përveç prezencës, ndau dhe përvojën e saj si një model që po frymëzon gjithnjë e më shumë vende të tjera.

Postimi i kryeministrit Rama:

Shqipëria kryeson sërish në rritjen e flukseve turistike në Europë, me +136% krahasuar me periudhën para-pandemike .

Raporti u publikua në Baku, Azerbajxhan, gjatë mbledhjes së 71-të të Komisionit për Europën të UN Tourism, ku Shqipëria mori pjesë si anëtare me të drejta të plota.

Një tjetër konfirmim ndërkombëtar për suksesin e modelit shqiptar të turizmit, i mbështetur në vizionin e turizmit të qëndrueshëm, që ishte edhe fokusi i diskutimeve gjatë mbledhjes së #CEU si pjesë e Deklaratës së Bakusë dhe Shqipëria ishte aty, jo vetëm për të dëgjuar, por për të ndarë eksperiencën e saj si një histori suksesi që frymëzon.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko