Nëse dikur  talleshin mbretërit me kllounët, në Shqipëri ka ndodhur mrekullia moderne: kllouni vetë po  tallet me popullin dhe po vetë  drejton  mbretërinë.

Nga Maliqi, në 11 prillin e fushatës, Edi Rama mbajti një fjalim historik. Jo për integrimin në BE, as për ndonjë plan konkret ekonomik. Por për çyrykët shqiptarë — pra burrat e këtij vendi që, sipas tij, janë një përzierje ujë kënete dhe gabim votimi.

Fjalët janë të tijat:

“Gjysma e burrave kanë gjysmën e trurit me ujë kënete.”

“Ngrihen e thonë s’jam çyryk, po janë.”

“Shyqyr kemi gratë që i lajnë e i rruajnë.”

Në çdo vend tjetër të qytetëruar, një deklaratë e tillë do të shkaktonte protesta, dorëheqje dhe ndoshta edhe takime urgjente me psikologë politikë. Por në Shqipëri, përballë një populli që mezi po mban frymën nga atentatet, varfëria dhe shpopullimi, kryeministri del e tallet me burrat si në ndonjë skeç provincial të viteve ’80.

Çyryk është ai që nuk të voton

Në fakt, Rama nuk po flet për burrat si gjini. Po flet për burrat si kategori elektorale. Sepse nëse je grua që voton PS, je “shtyllë kombëtare”. Po nëse je burrë që ke një pikëpyetje për bulevardin që hapet çdo katër vite? Hajde muhabet, hajde: ti je çyryk.

Pra, në vend të bindjes me program, kemi etiketim me përqindje. Sipas këtij llogaritari të pashoq, 40% e burrave shqiptarë janë rrena, përtacë, mosmirënjohës dhe votues të gabuar. Dhe kjo nuk vlen vetëm për Maliqin. Po ta shikojmë me kujdes, çdo burrë që s’e voton PS-në është automatikisht një qyryk.

Me këtë logjikë, ndoshta do të duhej që INSTAT-i të bënte publik një Cens të Çyrykut, bashkë me ndonjë hartë ku tregon zonat me përqendrim më të lartë “ujë kënete në tru”.

Europa me batutë, jo me reforma

Të mos harrojmë, gjithçka kjo u tha për të mbështetur një mesazh “të thellë”: integrimin në BE. Por kur rruga drejt Brukselit kalon përmes fytyrës së shqiptarëve, s’është më integrim — është tallje me gps. Imagjinoni një zyrtar europian duke dëgjuar këtë version të rekrutimit në BE:

  • “Zgjedhja është mes bufit dhe integrimit.”
  • “Çdo burrë që nuk do PS-në ka tru kënete.”
  • “Gratë janë pasaporta e vendit, burrat… fshesa.”

Një kombinim i denjë për një film vizatimor, jo për një projekt serioz të një shteti që aspiron integrimin.

Tallje, jo fushatë

Ky nuk është më politikan. Ky është një showman që ka marrë pushtetin dhe po bën stand-up me shtetin. Njëlloj siç tallet me fjalorin e tij të “bufit dhe këneta”, ashtu tallet me çdo qytetar që kërkon llogari.

Për burrat që nuk janë me të? Qyrykë.

Për gratë që nuk votojnë PS? Pa lavatriçe.

Po gratë?

Meqë janë përmendur si shpresa e vendit, do ishte mirë të kujtojmë se një pjesë e madhe e tyre sot janë emigrante, punonjëse të nënvlerësuara, ose gra të lodhura nga mungesa e shpresës. Jo të gjitha janë duart që lajnë dhe rruajnë burrat. Disa përpiqen të mbajnë në këmbë familjen, ndërkohë që burri i shtetit i etiketon si “nuse për qyrykët”.

Një pyetje për në fund:

Nëse 40% e burrave janë çyrykë dhe pjesa tjetër e burrave janë me PS-në, kush e ndërtoi këtë vend për 30 vite? Burrat e PD-së? Apo të gjithë ishin çyrykë, derisa u bindën të votojnë PS?

Edi Rama nuk e shpjegon. Ai vetëm qesh. Dhe publiku qesh me të. Sepse në Shqipëri, kur qeveria ofendon qytetarët, nuk ka revoltë. Ka meme. Ka reagime në rrjete. Ka “burrat” që tallin burrat.

Kryeqyriku e  shikon popullin si spektator për batutat e tij dhe si dekor për arrogancën e tij.

Shqipëria nuk është skenë humori dhe tallavaje për  të tillë kryeqyrykas. Është një vend që meriton më shumë se kaq.

Landi Çela

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko