Shkruan: Abdi Baleta

Në fillim të muajit qershor 2022, në Ohër, u mbajt një tjetër tubim diplomatik zbavitës në kuadrin e “Projektit Vuçiq-Rama-Zaev” (ky i fundit tashmë i zëvendësuar nga Kovaçevski) për ta bërë më mbresëlënëse maskaradën politike që Vuçiqi e ka pagëzuar me emrin anglez “OPEN BALKANS”. Ky emërtim është pa kuptim, madje pak provokues, sepse krijon përshtypjen e rreme sikur gjysma e shteteve ballkanike, që janë anëtarësuar tashmë në Bashkimin Europian, përbëkan një “Ballkan të mbyllur” dhe vetëm tre shtete “elitarë” (Serbia, Shqipëria e Maqedonia e Veriut) përfaqësokan “Ballkanin e hapur”, ku duhet të bashkëngjiten, me hir apo pa hir edhe tre shtetet e tjerë të dorës së dytë, Republika e Kosovës, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina. Qysh kur u shpall “Nisma e Berlinit”, nga ish-kancelarja e Gjermanisë në vitin 2013, e deri tani tek varianti i shtirur “Open Balkans”, u pa qartë se po bëhej një lojë e pandershme politike, se nuk po përshpejtohej integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE. Me këtë “Nismë” Europa e Bashkuar synonte ta largonte për një afat të pacaktuar vendimin se kur 6 vendete Ballkanit Perëndimor mund të pranoheshin në gjirin e saj. Mendimet dhe vlerësimet e mia skeptike për “Nismën e Berlinit” i kam shprehur që atëherë, në shkrimin “Europa kërkon Jugosllavinë e tretë” (“Shenja”, nëntor 2013). Tani që kjo “Jugosllavi e re” ka marrë formën e Serbisë së Madhe, si “Open Balkans”, bindem dhe më shumëse zhvillimet që nga ajo kohë i kanë vërtetuar shqetësimet e atëhershme.

“Diskriminim doganor pozitiv” i Kosovës nga Shqipëria për hir të “Open Balkans”

Ngatërresat e bëra nga “Nisma e Berlinit”, e sidomos nga “Open Balkans”, tashmë kanë ndikuar për të thelluar një ndarje në dy kampe të kundërvënë në ligjërimin politik shqiptar, në politikën e në diplomacinë shtetërore të shqiptarëve. Po përvijohet gjithnjë e më dukshëm ndarja e pozicionimi i shqiptarëve në “vullnetarë zelltarë” të krijimit të “Serbisë së Madhe” (alias Open Balkans) dhe në kundërshtarë të krijimit të saj. Kjo ndarje tani po shprehet më qartë sidomos në rezultatet e deritanishme të përpjekjeve që kanë bërë Presidenti i Serbisë e Kryeministri i Shqipërisë për të mobilizuar të gjithë faktorët shqiptarë të Ballkanit, që të krijojnë një atmosferë mbytëse ndaj Republikës së Kosovës, me qëllimin që kjo të lëkundet në kërkesën e njohjes nga Serbia dhe të mjaftohet me një përfshirje në strukturat dhe nën hijen e Serbisë së Madhe, të emërtuar “Open Balkans”.

Pas maskaradës së Ohrit, patëm rastin të vështronim dhe mbledhjen e zymtë të qeverive të Republikës së Kosovëse të Republikës së Shqipërisë në Prishtinë më 20 qershor 2022, e cila, ndonëse u zhvillua në një atmosferë “kombëtarizmi të shpëlarë shqiptar”, u mbizotërua nga nervozizmi i shkaktuar nga fryma që sillte në të hija e “Open Balkans”. Kryeministri i Shqipërisë kishte shkuar për këtë mbledhje në Prishtinë më shumë për të kërcënuar se është i vendosur ta tërheqë zvarrë Republikën e Kosovës deri në dyert e hapura të “Open Balkans”. Ky ishte mesazhi real që dha Edi Rama, kur njoftoi se Shqipëria do të heqë menjëherë taksat doganore me Kosovën, edhe nëse Kosova ngurron ta bëjë një gjë të tillë nga ana e saj e kufirit. Pra, për “patriotizëm shqiptar” Edi Rama po i thoshte Kosovës se do të fillojë t’i imponojë në mënyrë të njëanshme heqjen e doganave nga ana shqiptare e kufirit shqiptar-shqiptar, që ta mësojë Kosovën me rregullat e praktikat e “Open Balkans” e ta ëmbëlsojë dhe atë me të mirat e krijimit të “Serbisë së Madhe”. Deri tani nuk kishim dëgjuar se një shtet mund të mos përfillë deri në këtë shkallë sovranitetin e një shteti tjetër kufitar, sa t’ia cenojë atë nëpërmjet një “diskriminimi pozitiv doganor”.

Që këto pikëpamje ta gjejnë më mirë vendin në kontekstin historik e politik parimor dhe në terrenin diplomatik shqiptar e ndërkombëtar, kam përzgjedhur disa vëzhgime e vlerësime nga dy libra që sapo i kam lexuar dhe që janë shkruar nga personalitete joshqiptare.

Si i këshillonte shqiptarët Dalai Lama i Tibetit?

Në librin e titulluar “Faleminderit Amerikë” (SHBA në vitin 2015), autori Shaqir Gashi (mërgimtar nga Drenica e Kosovës dhe njëri nga protagonistët e Lobit Shqiptar në SHBA) ka shkruar: “Gjatë viteve ’90, ne anëtarët e Ligës qytetare Shqiptaro-Amerikane, me Dioguardin në krye, bënim takime të shumta me personalitete nga vende të ndryshëm që ndodheshin për vizitë në Amerikë. Në vitin 1992 erdhi për vizitë në SHBA lideri i Tibetit, Dalai Lama. Derisa ai ndodhej në Nju Jork disa senatorë amerikanë dhe kongresmenë na kishin ftuar edhe ne të lobit shqiptar në drekën që shtrohej në ‘Waldorf Astoria’… Dalai Lama paraqiti disa të dhëna lidhur me historinë e popullit të Tibetit, duke theksuar se vendi i tij ndodhej nën pushtimin e Kinës…(ai) nuk kishte njohuri për Kosovën. I tregova se aty jetojnë dy milionë shqiptarë të cilët nuk gëzojnë kurrfarë të drejtash politike e kombëtare. ‘Kosova është e pushtuar nga Serbia siç është Tibeti i pushtuar nga Kina’, – i thashë. Z. Lama i erdhi mirë që ne kishim dijeni për vendin e tij. Më pas bisedën tonë e ndoqi me shumë vëmendje duke u interesuar për shumë çështje të shqiptarëve, në veçanti për Kosovën. Duke folur për disa tradita të tibetasve Dalai Lama na bëri me dije se populli i vendit të tij ka shumë tipare që e dallojnë prej popujve të tjerë aziatikë. ‘Ne as nuk gëzohemi e as nuk hidhërohemi shumë’, – tha ai duke përkujtuar se një popull që mësohet me të keqen nuk mund të mendojë për ardhmëri të mirëfilltë; ‘Kështu është dhe okupimi, u mësove me të, jeta e tij do të jetë e gjatë. Ne atje nëTibet po bëjmë përpjekje që të keqen ta luftojmë për t’i hapur rrugën të mirës, lirisë. Një popull që nuk është i gatshëm të sakrifikojë, nuk meriton lirinë, as që mund të mbrojë vlerat e veta kombëtare’, – tha Dalai Lama” (f. 280-281).

Kurse ne shqiptarët sillemi më ndryshe: gëzohemi e entuziazmohemi shpejt, si fëmijë, zhgënjehemi dhe harrojnë lehtë, si të paditur. Nga kjo cilësi mendoj se buron gatishmëria e një pjese të shqiptarëve që ta përshëndesin e mbështesin projektin “Open Balkans”, sidomos kur qortojnë autoritetet pushtetore të Kosovës, se po e izolojnë shtetin e tyre kur refuzojnë t’i bashkohen projektit “Open Balkans”, se po tregohen dogmatikë, ideologjikë, enveristë, që nuk kuptojnë sa të mira sjell për shqiptarët, për paqen e qetësinë, përparimi i përbashkët ekonomik, sipas projektit Vuçiq-Rama.. Fatkeqësisht, ka shumë pushtetarë, politikanë e propagandistë shqiptarë në Shqipëri e në gjithë hapësirat shqiptare, që janë çorientuar në ndjesitë e mendësitë e tyre politike, ka shumë propagandistë pa fizionominë e formimin e duhur kombëtar dhe mjaft qytetarë që sillen si moskokëçarës dhe harrojnë shumë gjëra nga historia e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, të cilat nuk mund e nuk bën të harrohen. Ka shumë shqiptarë që më të lehtë e kanë të mësohen me të keqen se t’i kundërvihen të keqes dhe të luftojnë për më të mirën si u takon dhe ardhmërinë e vështrojnë me dylbitë e iluzioneve, në vend që të përdorin syze të së vërtetës dhe të realiteteve historike, siç po u ndodh edhe në rastin e “Open Balkans”. Ndërkaq serbët e përsërisin çdo ditë se nuk heqin dorë nga ripushtimi i Kosovës dhe nga mbizotërimi në gjithë hapësirat shqiptare. Kurse shumë politikanë e propagandistë shqiptarë bëjnë pa pushim thirrje që Shqipëria e Kosova të hyjnë të shkujdesura në “Serbinë e Madhe”, ngaqë besojnë që kështu sigurojnë “paqen iluzore” e rehatinë tregtare.

Edhe pse kohët e fundit doli qartë se projekti “Open Balkans” u intereson së pari e më së shumti Rusisë e Serbisë, shumë shqiptarë struken pas “argumentit” se atë po e përkrahin edhe BE e Amerika. Për ata që e kundërshtojnë krijimin e Serbisë së Madhe në Ballkan ky nuk duhet të jetë argument i pakundërshtueshëm, sepse dihet se qëndrime të tilla mbahen në konjuktura të caktuara politike, e për taktika diplomatike dhe ndryshojnë kur vjen koha që duhet zgjidhur drejt në themel një çështje madhore. “Vullnetarët shqiptarë të Serbisë së Madhe” duhet ta kenë parasysh se SHBA-ja edhe në Ohër e quajti “Open Balkans” si një projekt ekonomik rajonal, që mund të ketë një vlerë të kufizuar, por nuk mund të jetë projekt thelbësor për zgjidhje politike. E, pa i zgjidhur fillmisht problemet e mprehta politike, nuk fillon mbarë rruga e problemeve të tjera me dhe për disa përfitime materiale. Edhe amerikanët e dinë fare mirë se, në të vërtetë, “Open Balkans” është sajuar e po përdoret nga autorët e tij si projekt në radhë të parë me qëllime politike, por duke i maskuar qëllimet me një zhurmë demagogjike. Edhe amerikanët e dinë mirë se “Nisma e Berlinit” ishte konceptuar si projekt që do të përdorej për qëllime politike në kuadër të rivaliteteve SHBA-BE në Ballkan dhe si gjest joshjeje ndaj Rusisë. Prandaj përpjekjet që po bën Kosova për të mos rënë në kurthin e “Open Balkans” duhen parë si një mbrojtje e domosdoshme e interesave kombëtare të të gjithë shqiptarëve. Mirëpo, edhe në rastin konkret përsëritet shëmtueshëm avazi i vjetër që shqiptarët të përplasen midis tyre me politika të kundërta konceptuale, edhe kur fjala është për të ndërtuar kompaktësinë rreth problemeve me rëndësi politike, diplomatike e kombëtare.

Çfarë mësojmë nga libri francez vlerësues për Hashim Thaçin?

Një rast të mëparshëm shumë domethënës të përplasjeve të tilla e kam gjetur në librin e autorit francez Jacque Baudouin “Naissance d’une Democratie. Hashim Thaçi et la route vers le Kosovo independent”, 2018 (Lindja e një demokracie, Hashim Thaçi dhe rruga drejt Kosovës së pavarur). Ky autor ka qenë këshilltar i Bernar Kushnerit në kohën që ky i dyti ishte ministër i Jashtëm i Francës. Në libër ai ka shkruar me vlerësime shumë pozitive për qëndrimet e Hashim Thaçit në Konferencën e Rambujesë për Kosovën e më pas, kur Kosova fitoi lirinë e pavarësinë e saj. Në librin e autorit francez rrëfehet qartë e analizohen drejt ngjarje tejet të rënda, ku faktikisht dhe juridikisht në Rambuje diplomacia ndërkombëtare e vuloste lënien e Kosovës si pjesë përbërëse të Serbisë. Nën mestitullin “Presion maksimal për një nënshkrim” ai ka përshkruar përplasjet që bëheshin në gjirin e delegacionit kosovar më 22 shkurt 1999 në Konferencën e Rambujesë rreth vendimit nëse duhej nënshkruar apo jo ai dokumenti prej 80 faqesh. “Më 22 shkurt kosovarët duhej të thoshin po ose jo për marrëveshjen dhe kryetari i delegacionit (Hashim Thaçi – shënimi im – A.B.) vuri në dukje se, në kundërshtim me atë vet, shumica e anëtarëve ishin sërish dakord të nënshkruanin. Për të dalë nga kjo rrugë pa krye dhe me qëllimin që ta kandisnin Thaçin dhe anëtarët e tjerë të delegacionit përfaqësues të UÇK-së që të nënshkruanin gjithashtu, këta delegatë i propozuan atij të formonte një qeveri të unitetit kombëtar. Pasi kishte dështuar të përçante UÇK-në, duke i propozuar postin e kryeministrit njërit nga përfaqësuesit e saj, Rugova, Qosja e Thaçi u morën vesh për një qeveri që do të kishte një numër të barabartë përfaqësuesish të UÇK-së, të LDK-së dhe LDB-së, dhe posti i kryeministrit t’i jepej UÇK-së… Por, në kundërshtim me sa shpresonin disa, kjo ujdi e brendshme nuk donte të thoshte fare se Thaçi ishte i gatshëm ta pranonte marrëveshjen. Dhe, për ta nxjerrë mirë në pah këtë vendosmëri, ai njoftoi se jepte dorëheqjen dhe e braktisi sallën për të shkuar të bënte gati valixhet që të kthehej në Kosovë. Qosja i kërkoi të mos e braktiste konferencën, por Thaçi qëndroi në të tijën. Përfundimisht, ishin amerikanët që e bindën të rikthehej në sallë. Ata i premtuan atij një formulë për referendumin dhe një mënyrë për ta shndërruar UÇK-në dhe për ta çarmatosur atë”.

Pas këtyre përshkrimeve, arsyeja që më shtyn ta lidh këtë ndodhi me këshillat e Dalai Lamës është kjo: “Para përfaqësuesve të Grupit Veton Surroi mori fjalën për të thënë se të gjithë anëtarët e delegacionit ishin dakord të nënshkruanin, me përjashtim të Hashim Thaçit. Një pohim që shkaktoi sërish zemërimin e Thaçit. Kundërshtia midis dy burrave ishte flagrante. Kur Thaçi i tha se shqiptarët donin lirinë dhe jo paqen brenda Serbisë, Surroi i dha zgjidhje punës, duke pranuar se ai parapëlqen më mirë paqen në një Kosovë të mbetur në Serbi se luftën. Për këtë Thaçi u përgjigj se ishte gati të bënte qëndresë gjatë gjithë jetës së vet se të pranonte një ditë pushtimin e vendit të tij nga Beogradi. ‘Edhe unë nuk e dua luftën’, theksoi ai, ‘por është për vetekzistencën tonë që ne po luftojmë’… Presioni që Thaçi të ndryshonte mendim ishte i madh. Madje, edhe qeveria e Shqipërisë u përfshi. Ajo e kishte bindur Grupin e Kontaktit se mund t’i bindte njerëzit e UÇK-së të nënshkruanin dhe një delegacion shqiptar sapo kishte mbërritur nëRambuje. Ky delegacion tentoi ta lëkundte Thaçin. Pastaj ishte kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, që nëpërmjet telefonit e nxiti ta nënshkruante. Por, pa sukses”.

Pra, në Rambuje, gjatë debatit, shqiptarët po ndaheshin në mënyrë të prerë sipas dy bindjesh, mendësish e parimesh: hedhjes poshtë të pushtetit të të huajve në emër e për hir të lirisë e pavarësisë (qëndrimi i Thaçit) dhe pranimit të sundimit të huaj në emër të “paqes nën pushtim”. Në replikat e mësipërme midis Thaçit e Surroit kemi shembullin më të qartë se përse e si mund të ndahen shqiptarët në zgjedhjen e rrugës së fateve të tyre dhe në ndërtimin e marrëdhënieve me kundërshtarët ose dhe me miqtë. Sado t’i rrotullojnë fjalët e argumentet, ithtarët shqiptarë të “Open Balkans” nuk mund të mohojnë se ka ngjashmëri të madhe midis debateve të tilla që zhvilloheshin në Kështjellën e Rambujesë më 22 shkurt 1999, kur duhej vënë nënshkrimi për Kosovën e pavarur ose për Kosovën nën hyqmin e Serbisë. Gjithë maskarada diplomatike e sotme rreth “Open Balkans” për këtë po bëhet, që Kosova e pavarur të rikthehet në njëfarë mënyre në një lidhje të veçantë e të institucionalizuar ndërkombëtarisht e të varur nga Serbia. Diplomacia perëndimore asnjëherë nuk e ka harruare lënë pas dore këtë kërkesë të Serbisë. Dëshminë për këtë na e jep po autori francez kur shkruan: “Pas shumë vitesh, nga fundi i vitit 2015, Hyber Vedrin, që ishte përsëri ministër i jashtëm (i Francës – shënimi im – A.B.), gjatë një fluturimi nga Vjena në Tiranë, pati rastin të përmendte edhe njëherë idenë e autonomisë për Kosovën me ca lidhje sa për formë me Serbinë. Për këtë kryeministri kosovar u ndje i detyruar t’i kujtonte se vendi i tij ishte njohur si shtet sovran dhe i pavarur nga shumica vendeve anëtare të OKB-së dhe numri i këtyre njohjeve ishte siguruar me ndihmën e Francës” (f.234).

Postulati i pandryshuar europian në Ballkan “drejtësi për shqiptarët – miqësi me serbët”

Edhe sot qëllimi kryesor që diplomacia perëndimore përkrah “Open Balkans” është pikërisht ky – të vendoset një lidhje autonomiste e Kosovës me Serbinë, qoftë sa për formë, nëpërmjet “Open Balkans”. Serbia, edhe pse kërkon me këmbëngulje që Kosova të hyjë në këtë mekanizëm, nuk ka shpjeguar qartë asnjëherë se me çfarë statusi ajo pranon një gjë të tillë nga ana e Kosovës, çfarë statusi do t’i njihte Serbia Kosovës në takimet e 6vendeve të “Open Balkans”. Edhe përkrahja e diplomacive perëndimore për “Open Balkans” nuk ka përse të shkaktojë habi e huti tek shqiptarët. Autori francez, në librin e tij, ka bërë edhe për këtë dëshminë se presidenti francez, Zhak Shirak, kur e takoi Kushnerin, para se ky të nisej si guvernator i parë i OKB-së në Kosovë, i dha porosinë: “Mbaje mend se duam drejtësi për kosovarët, por ne mbetemi miq të serbëve” (f.246). Por, nocionet e konceptet “drejtësi” dhe “miqësi” nuk përfaqësojnë vlera të barabarta dhe nuk garantojnë zgjidhje të mira të problemeve.

Libri i autorit francez Boduen është mbyllur me disa fjali, që të rikthejnë tek porosia e Dalai Lamës: “Mos u mësoni me të keqen”. Francezi ka shkruar: “Pasi Thaçi krijoi Këshillin për të Vërtetën dhe Pajtimin midis Shqiptarëve e Serbëve në vitin 2018, ka një objektiv: ta mbyllë përfundimisht kapitullin e orëve të errëta të konfliktit shekullor midis Kosovës e Serbisë me një marrëveshje juridikisht detyruese, sipas së cilës Kosova do të hynte në Kombet e Bashkuara, kurse serbët e Kosovës do të përfitonin të drejta më të afirmuara. Sipas Hashim Thaçit, kjo marrëveshje do të jetë e vështirë për Kosovën, por nuk ka zgjidhje tjetër, përveç kompromisit”. Deri tani nuk kemi mësuar asgjë konkrete për këtë objektiv, as për ato të “drejtat më të afirmuara për serbët” se ato që kishin siguruar deri në vitin 2018. Por, dimë që për “kompromis të dhimbshëm” për shqiptarët flitet nga shumë anë. Parullën “duhet të bëjmë kompromis” serbët e kanë në majë të gjuhës, si bukën e tyre të përditshme propagandistike. Dimë që për serbët i vetmi “kompromis i pranueshëm” është që Kosova të pranojë një lidhje vartësie nga Serbia. Në funksion të një kompromisi të tillë duhet të ketë lindur edhe “Nismae Berlinit” dhe “Open Balkans” të jetë planifikuar për ta tërhequr Kosovën në një biçim “Konference të dytë të Rambujesë”.

Në Tiranë kanë filluar sërish sulme e apologjira lidhur me rolin e Hashim Thaçit në politikën kosovare e shqiptare gjatë shumë viteve. Më 16 qershor 2022, në gazetën “Dita” të Tiranës, u shfaq një shkrim me titull protestues “A e shiti Kosovën Hashim Thaçi?”. Autor është Bedri Islami – adhurues i politikave të Hashimit, Ali Ahmetit dhe Edi Ramës. Shkrimi dukej se ishte reagim ndaj sulmeve pa karar e pa kuptim që i bëhen në këtë kohë Hashim Thaçit nga disa protagonistë të politikës opozitare në Shqipëri. Nuk është qëllimi që këtë aspekt ta trajtojmë në këtë shkrim, sepse këtu mjafton për këtë trajtimi shumë dashamir që i ka bërë autori francez veprimtarisë së Hashim Thaçit. Por, shqetësim mbetet se “objektivi i Thaçit” i vitit 2018, që ka përmendur francezi, duket se nuk është braktisur as nga politikat shqiptare, as nga diplomacitë ndërkombëtare edhe tani.

* * *

Pra, duhet ta kemi të qartë se pikësynimi serb më i afërt dhe kryesor i politikës së kësaj “Serbie të Madhe” në radhë të parë është ai antishqiptar. Vuçiqi synon ta defaktorizojë në maksimum faktorin shqiptar në Ballkan, duke e tërhequr Shqipërinë në grackat e tij për ta bërë bashkëfajtore në manovrën-grackë të krijimit të një boshti Beograd-Tiranë, si shtylla mbajtëse kryesore e gjithë zhvillimeve pozitive të ardhme në “Open Balkans”. Natyrisht, janë forca më të fuqishme, që mendojnë se mund të rinisë një proces i ngjashëm me atë që çoi në “rregullimet” e dështuara të Konferencës së Rambujesë në vitin 1999, për “çështjen e Kosovës”, që mund të krijojë terren edhe për një rol tëri të Rusisë. Prandaj “Open Balkans” duhet parë në radhë të parë si rrezik më i veçantë për shqiptarët, për Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës. Me të tjerët Serbia nuk e ka aq vështirë të gjejë kompromiset që do. Këtë tani na e vërtetoi përfundimisht me arrogancën e cinizmin e saj të kohëve të fundit diplomacia ruse që shpalli se “Open Balkans” është një nismë e Serbisë (jo më e Gjermanisë) që gëzon mbështetjen e fuqishme të Rusisë. Na e vërtetoi edhe një herë Presidenti i Serbisë, Vuçiq, që kur lexoi formulën e betimit si i rizgjedhur në këtë post (formulë e sanksionuar në Kushtetutën e Serbisë), u betua me ton të lartë se “do t’i ruajë Kosovën e Metohinë si pjesë të Serbisë.” Çfarë të mirash mund të presin nga “Open Balkan” ata që bashkohen me idetë e projektet e Vuçiqit dhe gjunjëzohen para kërcënimeve të Llavrovit e të tjerëve me qëllimin që edhe shqiptarët e Kosovës të pranojnë të mbyllen përsëri në “burgun gjeopolitik” të interesave serbo-ruse në Ballkan?!

Për fat të keq, edhe nga diplomacia perëndimore deri tani nuk janë mbajtur qëndrime të qarta, asnjëherë dhe nga askush nuk janë dhënë shpjegime bindëse pse dhe si lindi “Nisma e Berlinit”, çfarë dobie ka sjellë deri tani në përgatitjen e premtuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrim në BE. Tani lindin dhe dyshime se “Nisma e Berlinit” ka qenë marrë që, në njëfarë mënyre, të kënaqej Rusia.

* * *

Prandaj mendoj se tani ka më shumë dobi të përqendrohet vëmendja në tre aspekte të problemit: 1. Kujt i duhet më shumë kjo maskarada politike e quajtur “Open Balkans”; 2. A e dinë pushtetarët e Shqipërisë zyrtare, në radhë të parë Kryeministri Rama dhe politikanët e propagandistët që u shkojnë verbërisht pas avazit, se për çështjen shqiptare në tërësi, interesat shtetërore të Shqipërisë në veçanti dhe për dinjitetin kombëtar shqiptar është mëkat i rëndë politik të bëhesh ortak në realizimin e një projekti serbo-rus në Ballkan?; 3. Pse diplomacia perëndimore e vështron ende me mospërfillje rrezikun që po krijohet në Ballkan nëpërmjet maskaradës “Open Balkans?”
Referenca: Revista Shenja

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re