Partia Demokratike ka paditur Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu për 5 vepra penale, të kryera sipas saj gjatë protestave të ditëve të fundit, pas ekzekutimit nga policia të 25-vjeçarit Klodian Rasha.
Kërkesa e Partisë Demokratike i është drejtuar Prokurorisë së Posaçme, SPAK, që duhet të kërkojë pezulliminne Ardi Veliut nga detyra deri në përfundimin e hetimeve. Në padinë e dorëzuar në SPAK, Partia Demokratike argumenton me detaje sesi Ardi Veliu ka shkelur ligjin, duke kryer të pesta veprat penale, si:
Shpërdorim i detyrës
Kryerja e veprimeve arbitrare
Pengimi në të drejtën për t’u shprehur, grumbulluar dhe manifestuar
Dëmtime të tjera me dashje
Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme.
Në padinë penale ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Partia Demokratike vë në dukje se “në protestat paqësore për të kundërshtuar frymën e represionit policor dhe të abuzivizmit qeverisës, është vënë re përdorim i tepruar i dhunës policore, përdorimi në mënyrë të çmendur i gazit lotsjellës. Ai është hedhur në sasi shumë të mëdha në Bulevard dhe në zonat rezidenciale me densitet të lartë qytetarësh, që nuk ishin pjesë e protestës”.
Duke i vënë në dispozicion SPAK-it fakte konkrete, në padi theksohet se, me urdhër të Ardi Veliut, është ushtruar dhunë barbare ndaj të miturve, kanë ndaluar në mënyrë abuzive çdo njeri që lëvizte në rrugë, pa qenë pjesë e protestës.
“Me anë të këtij kallëzimi, marrim përsipër të bëhemi përçues të zërit të atyre qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, të cilët besojnë se ligji është një dhe i barabartë për të gjithë dhe që ende kanë shpresën se vetëm zbatimi i Ligjit do ta çojë drejt përsosjes shoqërinë tonë.”- i drejtohet Partia Demokratike SPAK-ut, duke i kërkuar marrjen nën hetim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu dhe pezullimit të tij nga detyra.
Ky veprim i demokratëve vjen në një kohë kur prej 5 ditësh në protestë qytetarët kërkojnë tashmë shkarkimin e Ardi Veliut, pas dorëheqjes së ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj.
(E.K/Faxweb.al)
/faxweb
