Rusia do t’u kthehet bisedimeve me Ukrainën sapo forcat e armatosura ukrainase të dorëzohen dhe të dorëzojnë armët, deklaroi sot ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, në ditën e dytë të ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë.

Ai sot në Moskë përsëriti deklaratën e mëparshme të presidentit Vladimir Putin, në të cilën ai tha se qëllimi i sulmit ishte “denazifikimi” i Ukrainës.

“Jemi të gatshëm për negociata në çdo moment, sapo forcat e armatosura të Ukrainës t’i përgjigjen propozimit tonë, të ndalojnë rezistencën dhe të dorëzojnë armët. Askush nuk do t’i abuzojë, askush nuk do t’i maltretojë, le t’u kthehemi familjeve tona dhe të lejojmë popullin ukrainas të vendos vetë për fatin e tij”, tha Lavrov.

Duke shpjeguar motivet e Rusisë, Lavrov tha se Moska ishte përpjekur për 8 vjet që ta zgjidhte krizën ukrainase në mënyrë paqësore, duke promovuar zbatimin e marrëveshjes së Minskut të vitit 2014, ndërsa tha se Kievi kishte “sabotuar procesin e mbështetur nga Perëndimi”.

“Populli ukrainas duhet të jetë i pavarur, ai duhet të ketë një qeveri që përfaqëson të gjithë diversitetin e tij, pa qeverisje të jashtme, dhe gjithashtu pa një qeverisje të tillë që inkurajon gjenocidin dhe përdor Ukrainën si mjet për të frenuar Rusinë”, theksoi Lavrov.

I pyetur nëse presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kërkoi bisedime dhe garanci sigurie, Lavrov tha se Zelensky kërkoi vetëm takime në formatin e Katërshes së Normandisë dhe garanci sigurie nga NATO.

“Mundësia për negociata ishte në tavolinë deri në minutën e fundit dhe Rusia do t’i kthehet negociatave pas operacionit ushtarak”, tha ministri i jashtëm rus.

Lavrov tha se Rusia nuk e njeh qeverinë e Zelensky-t si autoritet legjitim të Ukrainës.

Në sytë e Moskës, tha ai, ky është “një regjim nën dy mekanizma kontrolli të jashtëm, SHBA dhe nazistët”.
Lavrov pohoi se “askush nuk do ta pushtojë Ukrainën”, duke këmbëngulur se qëllimi i Rusisë është “çmilitarizimi” dhe çlirimi i vendit nga “ideologjia naziste që ka lulëzuar në Ukrainë vitet e fundit”.

“Askush nuk do të sulmojë popullin ukrainas dhe as do ta trajtojë ushtrinë ukrainase në mënyrë poshtëruese. Asnjë sulm nuk po kryhet në infrastrukturën civile apo personelin e forcave të armatosura të Ukrainës”, tha Lavrov.

Pas ngjarjeve në sheshin “Maidan” në Kiev, Ukrainë në vitin 2014, në pushtet erdhi një qeveri pro-perëndimore ndërsa presidenti i atëhershëm Viktor Janukoviç u largua nga vendi. Rusia më pas aneksoi ilegalisht Krimenë. Separatistët kanë shpallur të pavarura rajonet Donetsk dhe Luhansk, ku shumica e popullsisë është me origjinë ruse. Më pas shpërthyen përleshjet e përgjakshme midis forcave separatiste pro-ruse dhe ushtrisë ukrainase.

Marrëveshjet në Minskut u nënshkruan në 2014 dhe 2015 me ndërmjetësimin e fuqive perëndimore. Megjithatë, shkeljet e armëpushimit vazhduan. Rreth 14 mijë persona u vranë në përleshjet.

Rusia tërhoqi vëmendjen e publikut duke filluar të vendosë dhjetëra mijëra trupa në kufirin me Ukrainën në fund të vitit 2021. SHBA-ja pretendonte se Rusia po përgatitej për invazion, por Moska zyrtare e mohoi një gjë të tillë me këmbëngulje. Ndërsa vendet perëndimore kërcënuan Rusinë me sanksione, administrata e Moskës njohu autoritetet separatiste në Donbas dhe nisi një operacion ushtarak në territorin e Ukrainës më 24 shkurt.

Presidenti rus Vladimir Putin i bëri thirrje ushtrisë ukrainase të dorëzojë armët, duke pretenduar se qëllimi i Moskës është “të mbrojë njerëzit që u ekspozuan ndaj gjenocidit nga Kievi dhe të pastrojë Ukrainën nga nazizmi dhe militarizmi”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re