Nga Kim MEHMETI* –

E dashur, doja të të shkruaj për atë që mësova nga leximi i mijëra librave si dhe të ta shpalos shkurtimisht atë që doja ta them nëpërmjet mijëra faqeve që kam shkruar e botuar. U habita kur pash se tërë atë që di dhe që kam dashur ta them mund ta përfshij në këto pak faqe dhe në këto disa thënie të mëposhtme.

– Të bësh çmos që mos plakesh qysh në rini! – Njeriu duhet të mësojë të jetë i kënaqur me atë që ka dhe atë që është, sepse vetëm kështu mund të arrijë edhe atë që ëndërron! – Të mençur janë vetëm ata që e kanë kuptuar se sa i përket diturisë, njeriu ndahet nga kjo botë duke marr me vete aq urtësi, sa merr ujë notuesi në oqeanin e paskajshëm: vetëm ato pak pika që i janë ngjitur në trup gjatë notimit!

– Kurrë mos bë veprime i prirë vetëm nga dëshira që të jesh i pëlqyer nga të tjerët, por bë atë që ua ke borxh të dashurve tu dhe vetvetes, atë që nëse jo të mira, të tjerëve nuk do u sjellë asnjë të keqe, bë pra vepra nga të cilat nëse nuk do kesh pse të mburresh, mjafton të mos kesh asnjë arsye pse të turpërohesh nga ato! Më në fund, njeriu vlen vetëm aq sa do mundet gjatë jetës të mbetet i tillë siç i pëlqen vetvetja, e jo i atillë siç do e pëlqenin të tjerët!

– Në thellësinë e tyre, ditët festive, përmbajnë Lumturi Dhembje: lumturinë që na dhurojnë të dashurit tanë, që i kemi shëndosh e mirë pranë vetes si dhe dhembjen, që e ndjejmë për gjithë ata që na mungojnë dhe për njerëzit me kalendar jetësorë pa ditë festive! – Njeriun nuk e lë pa gjumë ajo që e dinë të tjerët për të, por gjërat që i fsheh nga bota dhe jeton me frikën se ato një ditë do të mund të zbulohen!

– Urtësi mbi të gjitha të tjerat është të kuptosh se që nga dita e lindjes e tutje, ti nuk i takon vetëm vetvetes! Se është mjeshtri që jashtë njerëzve të gjakut tëndë familjar, të gjesh ata të cilët me vetëdëshirë do i shpallësh Pronarë të një pjese tënden dhe të vdesësh me bindjen se nuk ke bërë zgjedhje të gabuar! Kjo është ajo përmbajtje që dëshmon se ke jetuar Mrekullinë tënde, se i je përmbajtur Mitologjisë vetjake ku më e rëndësishme është kaptina me mbititull: ‘Mos e merr nga të tjerët me dhunë atë që ata nuk duan të ta japin, dhe mos ua jep atë që ata nuk dinë ta vlerësojnë!

– Thonë se jeta është rrugicë që të çon tek vdekja,ndërkaq vdekja është vendshkarkim i vuajtjeve jetësore! Në ndërkohë duhet shtuar se këtë rrugë, dikush e ecë me përulësin e të pikëlluarit pse s’do vdesë me pastërtinë e të palindurit fare, e dikush me kryelartësinë e atij që nuk e ka kuptuar se rrugëtimi drejt vdekjes ka vetëm një kuptim – ta arsyetojë lindjen! Më në fund, nga mënyra si kemi ecë drejtë fundit të jetës, ne e përcaktojmë se cili e ka arsyetuar lindjen dhe ka vdekur, e cili ka ‘ngordhur’ – Nuk ndërtohet parajsa me muratorët e ferrit!

– Nuk ka rrugë të patejkalueshme dhe të gabuara, por ka udhëtarë të cilët, në vend se udhës që do i çojë drejt arritjes së paqes me vetveten, nisen shtigjeve që do u ofrojnë zilinë dhe lëvdatat e të tjerëve! – Komunistët e dikurshëm ishin të dehur nga ideologjia, andaj donin ta ‘vrisnin’ Zotin! Ndërkaq ‘hajdutokratët dhe tenderokratët’ e sotëm, të verbëruar nga ngjyra e parasë, i ‘vrasin’ vlerat më fisnike njerëzore!”

– Të padjallëzuarit dhe ëndërrimtarët janë gjahu më i lehtë dhe më i dëshiruar i intrigantëve dhe i varrtarëve të ëndrrave Kur je injorantë dhe i pavlerë, si dhe kur ‘lavdinë’ e djeshme e përdorë si ‘kartë-kredie’ për ta mbuluar hajninë dhe për ta blerë të sotmen politike, herdo-kurdo ‘kartela’ të zbrazet dhe përballesh me të vërtetën se nuk ka pasuri apo pushtet, që ta mbulon ‘varfërinë’ morale dhe njerëzore! –

Më e keqe se varfëria është mallkimi që u takon atyre të cilët duke i ikur skamës, shkelin mbi burrërinë e vet, dhe pranojnë që fëmijët t’i ushqejnë me fatkeqësinë e të tjerëve! – Fare nuk lexojmë , e aq shumë flasim dhe shesim mençuri! Sikur të lexonim nga një libër në vit, do vinte dita kur do e kuptonim sa shumë rrëfen heshtja dhe, sa i mençur është ai që di të dëgjojë!”

– Kjo botë nuk do ishte e njerëzishme as kaq sa është, sikur të mos kishte ëndërrimtarë që nuk i tradhtojnë ëndrrat e tyre, e që i mbajnë gjallë iluzionet! Andaj, ia vlen t’i mbetsh besnik ëndrrës edhe kur e dinë se ajo është gënjeshtare, por shumë, shumë njerëzore!

– Njeriu i paarsimuar sheh qartë vetëm vetveten dhe gjërat rreth tij, gjysmë i arsimuari nuk e sheh vetëm atë që shikon por edhe hijet që i duken se ecin pranë tij, ndërsa i arsimuari i mirëfilltë nuk e lodh shikimin me gjërat që ka pranë vetes, por donë t’i sheh largësitë, jeton me bindjen se gjithmonë do mbetet vetëm një nxënës që duhet të mësojë. – Përmendorja e lavdisë, nuk ndërtohet me para nga kuleta e hajnisë! – Burri nuk vdes kur jep shpirt, por atë ditë kur fillon të mos turpërohet nga asgjë! – Nëse votuesit shqiptarë do e kishin më të zhvilluar guximin se sa nënshtrimin, atëherë edhe politikanët tanë do i kushtonin më shumë rëndësi ndershmërisë se sa hajnisë!

– Si dje, edhe sot e nesër, duhet të vazhdojmë t’i ëndërrojmë të gjitha ato që duam të na ndodhin, por duke e ditur se jetën e meritojnë dhe denjësisht e jetojnë vetëm ata që e kanë kuptuar se, sikur jeta të mbushej vetëm nga ato që dëshirojmë, atëherë do shembeshin dy shtyllat më të rëndësishmet që atë e mbajnë në këmbë – ëndrrat e shpresat! – Botuesit dhe shkrimtarët tanë vazhdojnë të japin shpjegime nga më të ndryshmet pse bie lexueshmëria dhe shitja e librit! E në të vërtetë, çdo gjë është shumë më e thjeshtë e më e dukshme seç e thonë ata: në “Shqipëritë” tona, më lirë të kushton ta blesh një diplomë, se sa një libër!

– Është e njohur thënia se vetëm gjatë rinisë njeriu jeton me fytyrën që ia ka dhënë Zoti! Dhe se gjatë jetës së mëtejme, njeriu vetë e zgjedhë fytyrën që donë ta ketë! Pra njeriu lind e rritet me fytyrën që ia ka dhënë Zoti, por plaket e vdesë me fytyrën që e ka zgjedhur për vetveten: me atë të turpit, apo atë të njerëzores! – Je më i mbrojtur, më i sigurt, e më i pëlqyer, kur mbanë anën e të pushtetshmin dhe kur ke mik të fortin, të pasurin e të famshmin!

Por, miqësia e mbështetur vetëm mbi themelet e frikës dhe interesit, është pasqyrë ku shihet dobësia e individit! Kështu që, kanë qenë, e do mbeten të fortë e të njerëzishëm, vetëm ata që e mbrojnë, e ndihmojnë dhe janë në anën e të dobëtit, të dëmtuarit dhe skamnorit! – Të kërkosh nga politikanët shqiptarë besnikëri dhe mbajtje të fjalës së dhënë, është njësoj si të kërkosh ndërgjegje nga ai që nuk ka turp! – Nuk ndërtohet parajsa me muratorët e ferrit!

– Mitet janë si stoli vezulluese dhe të shtrenjta, jo gjithmonë të bëra prej metali të çmuar, por çdoherë të lara në ujë prej ari! Pra brendia e të vërtetave për ta, është e mbështjellë edhe me gënjeshtra joshëse, që e kanë mirëmbajtur boshtin kurrizorë, si dhe dinjitetin dhe krenarinë, e pjesëtarëve të një etnie, apo të një feje.

Të këtilla janë edhe mitet tona shqiptare, përfshi edhe atë për Skënderbeun, që ka jetuar e luftuar në kohë kur janë bërë lufta fetare, e jo etnike, e për nënën e të cilit debatohet këto ditë. Dhe ndaj miteve duhet të sillemi si pronari i stolisë së shtrenjtë të praruar: duke e pastruar kujdesshëm atë, që të mos e gërvishtim, ngaqë do mund edhe të ndryshket! Edhe atë jo gjithaq pse do e dëmtojmë stolin (lexo: mitin), por pse kështu do mund ta dëshpërojmë pronarin, që e ka ruajtur atë si diçka më të shtrenjtë që ka pasur dhe me të cilën është stolisur në ditë kremteje!

– Më mirë është një ditë ta jetosh si luan, se sa tërë jetën ta kalosh i fshehur në birën e miut! – Nuk është e thënë mëkotë: sa më i vogël është një populli, aq më të gjatë e ka himnin dhe aq më të larta i ka përmendoret! Kësaj thënie duhet shtuar: sa më i vogël është një popull, aq më të shumtë i ka heronjtë dhe më të begatë e ka historinë, ku i përshkruan të këqijave që ia kanë bërë armiqtë! – Shpesh dëgjojë pyetjen: pse politikanët shqiptarë, edhe pse vëllezër të një gjaku etnik, janë aq grindavecë e mos bashkëpunues mes veti, e në ndërkohë, të kujdesshëm dhe të mirësjellshëm ndaj kolegëve të tyre të huaj?!

Shpjegimi është shumë i thjeshtë: ata janë vëllezër për nga përkatësia etnike, por kuletat e tyre që i mbushin me hajni, nuk janë motra! – Me lehtë e ke gjithë qentë t’i mësosh të urinojnë te e njëjta pemë, se sa politikanët shqiptarë t’i ulësh bashkërisht rreth të njëjtës tavolinë të bisedimeve! – E di se demokraci është edhe kur dy kokëzbrazur, kriminelë dhe të pafytyrë, e mbivotojnë një të ditur e të ndershëm, por kjo ende nuk do të thotë se injoranca, krimi dhe pafytyrësia, janë vlera civilizuese e njerëzore!

– Dikur shqiptaria mbështetej mbi parimin e fisëm dhe bujarë se turpin e burrit nuk e mbanë toka, e atë të gruas nuk e mbulon as dheu! Sot, thuajse shumëçka ka marr kahe të kundërt dhe herë- herë, kamë përshtypjen se kemi filluar t’i nënshtrohemi rregullit se, paturpësia e burrit mund ta sundojë tokën, e ajo e gruas mund ta zbukurojë dheun! – Është e vështirë ta përcaktosh saktë se sa të peshojnë të tjerët!

*Letra i drejtohet gazetares dhe kritikes së librit Alda Bardhyli.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re