Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në fjalën e saj në Kuvend tha se me ligjin e ri “Për Shërbimin Spitalor në Republikën e Shqipërisë”, shërbimi spitalor në vend do të ketë një model të ri administrimi dhe menaxhimi,.

 

“Ligji i ri ridimensionon shërbimet e kujdesit spitalor. Synon të garantojë për shërbimin spitalor një formë të re të funksionimit dhe të organizimit të spitaleve publike, duke përfshirë këtu modelin e autonomisë spitalore, për të siguruar më shumë transparencë të shpenzimeve në spitale. Do të mundësojë një sistem efikas kundër korrupsionit brenda sistemit shëndetësor dhe do t’i rrisë imunitetin sistemit duke shtuar garancitë për një shërbim cilësor. Do të sjellë një menaxhim efektiv të burimeve njerëzore. Një administrim dhe përmirësim të shpenzimeve dhe burimeve finanicare të spitaleve nëpërmjet kostifikimit të proçedurave klinike. Do të mundësojë investime në teknologji dhe inovacion nëpërmjet mundësive të reja që ai krijon për rritjen e të ardhurave dytësore të krijuara nga spitalet. Do të aplikojë shërbime klinike sipas standardeve më të larta në spitalet e akredituara”, tha Manastirliu.

 

Ministrja Manastirliu tha se ligji i ri parashikon aplikimin e modeli të autonomisë spitalore e cila do të jetë në dy forma.

 

“Për herë të parë futet koncepti i autonomisë spitalore, një tjetër risi e projektligjit. Autonomia si pjesë integrale e menaxhimit të sistemit spitalor publik garanton barazi, aksesueshmëri, cilësi, siguri, në ofrimin e shërbimit shëndetësor në kohë për pacientin. Autonomia spitalore parashikohet të jetë në dy lloj formash. Modeli i autonomisë menaxheriale që garanton dhënien e autonomisë administrative, organizative dhe rregullatore të spitaleve. Dhe modelin e autonomisë financiare që garanton transformimin e spitaleve publike në institucione që vetëfinancohen, financohen nga buxheti i shtetit, për shërbimet e përcaktuara dhe gjithashtu vlerësohen që të ardhurat dytësore, të ardhurat nga veprimtaritë e tjera të spitaleve të mundet të përdoren nëpërmjet akteve nënligjore”, tha Manastirliu.

 

Ministrja Manastirliu foli për një organizim të ri të shërbimit spitalor kur tha se: “Shërbimet specialistike në rang rajoni do të përcaktohen në Planin Kombëtar Spitalor duke mundësuar një organizim më efektiv spitalor e mbi të gjitha një menaxhim shumë më të mirë dhe efektiv të burimeve njerëzore dhe financiare. Parashikohet në këtë ligj ndarja e spitaleve publike sipas modeleve spitalore krejt të veçanta duke sjellë një mënyrë të re organizimi. Parashikohet rikategorizimi i spitaleve duke mirëpërcaktuar lloje të spitaleve që në ligjin aktual, pra atë që shfuqizojmë sot, nuk ekzistojnë, sikurse janë spitalet ditore, apo spitalet në nivel rajoni”.

 

Një tjetër risi e këtij ligji janë praktikat dyfishe për mjekët e sistemit shëndetësor publik, ndërkohë që Manastirliu tha se përfshihet si koncept për herë të parë shërbimi i turizimit shëndetësor.

 

“Praktika e dyfishtë që nënkupton se mjekët në spitalet publike mund t’u jepet mundësia, sigurisht brenda një strukture dhe akteve nënligjore në fuqi, të rregulluara, për të ofruar jashtë regjimit të punës dhe pa cënuar shërbimin publik, mundësinë për të ofruar shërbime të konsultave ambulatore për pacientë jashtë sistemit të referimit është një risi tjetër e këtij projektligji. Dhe gjithashtu prezantimi i konceptit të shërbimit të turizmit shëndetësor sërish i përfshirë në këtë projektligj”, tha Manastirliu.

 

Me ligjin e ri “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, spitalet do të kenë autonomi menaxheriale, sa i takon administrimit, organizimit dhe aspektit rregullator si dhe autonomi financiare, që do të thotë që do të jenë institucione që vetëfinancohen, duke përdorur jo vetëm burimet nga buxheti i shtetit, por edhe burime të tjera të ligjshme.

 

Një risi e këtij projektligji të ri është planifikimi spitalor në nivel kombëtar. Autonomia spitalore do të mundësojë edhe pagesat e diferencuara për mjekët në bazë të performancës dhe shërbimit të ofruar për qytetarët si dhe do të lejojë praktikat e dyfishta të mjekëve, që do të thotë edhe mundësi për të shfrytëzuar mjediset spitalore për konsulta përtej orarit të punës, për pacientë jashtë sistemit të referimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re