Drejtuesi i qarkut të Dibrës nga radhët e Partisë Demokratike, Xhelal Mziu në një intervistë për Fax News, ka dhënë detaje mbi analizën e brendshme që kjo forcë politike po bën në kuadër të rezultatit të zgjedhjeve të 25 Prillit.

Mziu tha se sa i takon rezultatit të Dibrës ai është ndikuar më së shumti nga faktorë të jashtëm, përfshirë edhe dalja në një koalicion më vete me LSI-në, që sipas deputetit të zgjedhur nga PD ishte një gabim taktik.

Mziu tha se qeveria ushtroi të gjithë ndikimin e saj duke fryrë administratën dhe paratë publike.

“Janë përdorur para pafund nga qeveria, jemi i vetmi qark që kemikapur punonjës shtetëror që shpërndanin para në këmbim të blerjes së votave, kanë ushtruar presion të jashtëzakonshëm ndaj administratës shtetërore, madje dhe ndaj pensionistëve.

Është fryrë administrata publike në të gjitha bashkitë e qarkut të Dibrës. Çudia më e madhe ka ndodhur edhe me ndihmën ekonomike, duke futur familje pa kriter dhe duke ulur shumën e ndihmës që përfitonin familjet e tjera.

Janë dhenë pafundësisht subvecione për bujqësinë tre ditët e fundit të fushatës, janë dhënë masivisht leje legalizimi, është shpërndarë pagë lufte për herë të parë, edhe pse pandemia kishte vazhduar prej 14 muajsh, janë bërë investime elektorale, është përdorur policia.

7% e votave kanë dalë të pavlefshme, fleta e votimit i ka ngatërruar qytetarët, numri i tyre ishte i jashtëzakonshëm, një gjysmë mandati ka ikur për shkak të këtij fenomeni. Tashmë të gjithë e shohin qartë se tjetërsimi i votave ka qenë shumë i sofistikuar, duke krijuar një mazhorancë fiktive”, u shpreh Mziu.

A ndikoi ndarja me LSI?

Mziu: Është e vërtetë që ne ishim në koalicion me lista të veçanta, unë kam qenë partizan që të ishim me listë të përbashkët, në qarkun e Dibrës u harxhuan energji dhe për betejën mes dy partive edhe pse ishin në opozitë.

Nëse do të kishim qenë në koalicion do të kishim një rezultat tjetër, LSI ka bërë një zgjedhje të gabuar. Nuk ka pasur faktorë të brendshëm që të kenë ndikuar në rezultat, ne kemi një rritje të rezultatit në krahasim me zgjedhjet e kaluara, pati një unifikim të demokratëve.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re