Futbolli dhe politika…politika dhe futbolli… Një simbiozë që në Shqiperi nuk ka shkuar asnjëherë natyralisht në terrenin shqiptar.

Prej 30 dekadash është dashur që sporti të jetë sektor i mirëfinancuar, mbështetur dhe stimuluar nga institucionet shtetërore, mirëpo kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë dhe për ta vërtetuar një gjë të tillë, mjafton të saktësojmë se Shqipëria është vendi ku sporti ka buxhetin më të ulët vjetor në Europë.

Mirëpo çuditërisht teksa mbështetja është e papërfillshme, janë të njëjtët aktore të cilët e kanë parë sportin në tërësi dhe futbollin në tërësi si mjet marketingu për të fituar mbështetje politike.

Sa herë që shënojmë suksese sidomos në nivel ndërkombëtar, aktorët politikë, janë aty, gati për të shfrytëzuar çdo element që mund të thithë vota dhe mbështetje nga ky komunitet i madh.

Kombëtarja e futbollit është maksimumi i vëmendjes publike e jo më kot Lulzim Basha apo Taulant Balla, zgjodhën pikërisht sfidën e kombëtares kundër Anglisë për të marrë kreditet e dëshiruara.

I pari, lideri i opozitës u shfaq duke ndjekur ndeshjen në një lokal me numrin 9 të stampuar me emrin Basha në fanelën kuqezi, fanelë e firmosur nga lojtarët e Kombëtares, gjë e cila na konfirmon gjithnjë e më shumë se jemi në fushatë elektorale dhe beteja për të marrë vëmendje, është më e prekshme se kurrë.

Në krahun tjetër Taulant Balla përgjigjej me një video përkrah sulmuesit Cikalleshi me bindjen se ndeshja e radhës kundër San Marinos do të shënonte një fitore të madhe si ajo e PS në 25 prill.

Mesazhe politike në ambiente sportive, të cilat për shumëkënd mund të jenë krejt normale në kohëra të tilla, por jo për komunitetin sportiv, i cili përtej gjithçkaje, ka nevojë për mbështetje konkrete, plane e investime, të cilat për hir të së vërtetës, kanë munguar në këto 3 dekada, duke e kthyer sportin shqiptar dhe veçanërisht futbollin, në një sektor në kufijtë e mbijetesës.