Skip to content

Lufta kundër bimëve narkotike, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi pret delegacionin e “Guardia di Finanza” italiane

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ditën e sotme priti delegacionin e “Guardia di Finanza” italiane në luftën kundër kanabisit.
Ministri Çuçi veçoi dy indikatorë që dëshmojnë efikasitetin në këtë luftë, që janë shumëfishimi disa herë i çmimit të kanabisit, si dhe mos-evidentimi i asnjë rasti të trafikimit me mjete lundruese të sasive narkotike për këtë vit, drejt Italisë.

Prej disa vitesh, forcat e GdF operojnë së bashku me Policinë e Shtetit për një monitorim të rreptë të territorit në zbulim të tentativave për kultivim kanabisi, por edhe për goditjen e përpjekjeve për trafiqe të paligjshme përmes detit. Palët shprehën dakordësinë për të thelluar bashkëpunimin, në funksion të rritjes së sigurisë në dy vendet.

Me interes të veçantë u vlerësua mbështetja e Policisë Italiane për Akademinë e Sigurisë, duke synuar zgjerimin e këtij bashkëpunimi.
Ministri i Brendshëm, Çuçi dekoroi me medaljen e nderit dy drejtues të lartë të Guardia di Finanza italiane, Gjeneral Brigade Giuseppe Arbore, Drejtues i Repartit III të Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza, si dhe Nënkolonelin Stefano Lezzia drejtues i Njësisë së GdF në Durrës. Motivacioni lidhet me kontributin në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit të Shqipërisë dhe Guardia di Finanza të Italisë në luftën e përbashkët kundër kriminalitetit, si dhe mbështetjen e spikatur në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike e parandalimin e veprimtarisë së kundërligjshme nëpërmjet detit në të dy anët e kufirit.

/faxweb