Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, ishte të mërkurën në Gjykatën e Lartë për të zhvilluar një takim pune me zëvendëskryetarin e kësaj gjykate Sokol Sadushi.

Në njoftimin për shtyp, theksohet se gjatë takimit u diskutua mbi aktivitetin e deritanishëm të gjykatës, sfidat më të cilat ajo përballet vazhdimisht, si edhe punën e kryer në drejtim të uljes së numrit të çështjeve të prapambetura, zbatimit të kërkesave kushtetuese e ndryshimeve të fundit procedurale ligjore për përmirësimin e situatës në këtë institucion, me qëllim krijimin e një klime besimi tek qytetarët.

Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi  u shpreh se tashmë Gjykata e Lartë, pas një viti, është më e vetëdijshme në atë se çfarë i nevojitet asaj, dhe të gjithë gjyqtarët e kësaj gjykate janë sot më besimplotë për të arritur rezultatet e pritshme.

“Sigurisht ardhja e gjyqtarëve të rinj, për të plotësuar më tej trupën gjyqësore është e domosdoshme për të rritur eficencën e Gjykatës së Lartë e cila paralelisht do të bëjë të mundur edhe përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Për këtë arsye, kjo gjykatë shpalli pak kohë më parë edhe nisjen e procedurave për tre vendet vakantë në Gjykatën Kushtetuese, për të bërë të mundur vijimin e këtij procesi të rëndësishëm pa vonesa dhe në kohë” tha ai.

Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Gjykatës së Lartë, ambasadori i BE-së Luigi Soreca vlerësoi maksimalisht punën e kryer deri tani nga Gjykata e Lartë duke e quajtur atë një hap madhështor që ka hedhur kjo gjykatë dhe anëtarët e saj.

“Puna e bërë nga Gjykata me çështjet e prapambetura është parë me vlerësim nga komuniteti ndërkombëtar” tha ai. Duke përmendur ndryshimet e fundit procedurale ligjore, ambasadori Soreca vlerësoi faktin së ato janë një ndihmë konkrete për mbarëvajtjen e procesit të shqyrtimit të çështjeve në gjykatë, e cila në këtë mënyrë bëhet edhe më eficente në punën e saj.

Funksionimi normal i Gjykatës së Lartë, me ardhjen edhe të anëtarëve të saj të rinj, sjell padyshim edhe plotësimin e shpejtë të Gjykatës Kushtetuese.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re