Nuk ka më asnjë dilemë se Partia Socialiste ka fituar thellë në këto zgjedhje. Teksa tani nuk pritet ndonjë ndryshim i madh sa u takon mandateve, vëmendja është te gara brenda partive, pra te listat e hapur.
Padyshim gara më e fortë është në Tiranë, ku janë shumë emra nga radhët e PD dhe PS që rrezikojnë të mbeten jashtë Parlamentit, të paktën nëse shohim shifrat deri më tani.
Nga 75 kuti të numëruara, rezulton se në radhët e PS ata që pritet të futen në Parlament janë: Blendi Gonxhja, 5080 vota; Fatmir Xhafaj, 1880 vota; Erion Braçe, 912 vota; Ervin Hoxha, 615 vota; Ornaldo Rakipi, 569 vota; Xhemal Qefalia, 351 vota; Anila Denaj, 346 vota.
Ndërsa mbeten jashtë: Pandeli Majko, Mimi Kodheli, Blerina Gjylameti, Olta Xhaçka, Etilda Gjonaj, Ermonela Felaj, Toni Gogu, Arben Pëllumbi, Klotilda Bushka, Etjen Xhafaj.
PS në Tiranë ka aktualisht 19 mandate dhe nga këto 12 janë nga lista e mbyllur dhe 7 nga lista e hapur.
Ndërkohë PD kuotohet mes 13 dhe 14 mandate në Tiranë dhe vetëm 1 apo dy emra do të futen nga lista e hapur. Deri më tani më i votuari është Ilir Alimehmeti me 1115 vota, pas tij Jorida Tabaku me 996 vota dhe Myslim Murrizi, 761 vota. Nga kjo listë Ilir Meta mbetet jashtë Parlamentit.