Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka zhvilluar paraditen e sotme një takim me studentët e drejtësisë në Shqipëri, për ti pyetur ata lidhur me vështirësitë me të cilat përballen, por edhe mbi mundësitë që kanë për të gjetur punë pas përfundimit të studimeve.

Gjatë këtij takimi, një e re ka treguar rastin e saj personal. Ajo ka zbuluar se nëna e saj punon si roje të Albpetrol e se atje të tjerët tallen me të, ndërsa shton se vetë nuk e di nëse ka mundësi që ta vazhdoj masterin.

“Nëna ime ka mbaruar fakultetin e Gjuhëve të huaja, te Albpetrol ka qenë sekretare, tani po e mbajnë peng në punë si roje, punon roje, është 44-vjeçe. I them lërë punën, më thotë jo do ta mbaj, i them pse e mban kur ata po tallen me ty. Unë nuk e di a do ta kem mundësinë që ta vazhdoj masterin”, u shpreh ajo.

Shumë prej të rinjve shprehën mundësinë e largimit nga vendi, ndërsa kryedemokrati tha se kjo nuk është zgjidhja e duhur.

 “Asgjë s’të bëhet si vendi yt. Sot në këto kushte, mund të duket se ajo është një zgjidhje dhe ndoshta mund të jetë edhe një zgjidhje afatshkurtër, por nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje afatgjatë të largohesh nga vendi yt, nga familja jote, nga shoqëria. Beteja kryesore e imja është që të pamundësojmë këtë pengmarrje të Shqipërisë, që i shtyn njerëzit drejt largimit dhe po i shtyn në veçanti të rinjtë drejt largimit të dëshpëruar”, – apeloi Basha te të rinjtë.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re