Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu i ka bërë një thirrje nga foltorja e Kuvendit opozitës, që të bëhet pjesë e përpjekjeve për të nxitur qytetarët të vaksinohen, duke mbrojtur kështu shëndetin e tyre.

“Në luftën për jetën, avantazhi i vetëm që kemi sot është VAKSINA. Në luftën për jetën, çdo vaksinë e shtuar sot, frenon përhapjen e infeksionit dhe rrezikimin e jetës së dhjetëra njerëzve nesër. Flasim për shëndetin publik, dhe mjafton kjo për t’i dhënë kësaj kauze një dimension që shkon përtej përfitimeve të vogla që sjell retorika e mbushur me akuza pa pikë baze. Nuk do të ishte turp, as lëshim, as humbje, as dorëzim, as tërheqje, sikur çdonjëri prej 140 deputetëve në sallë, të shfrytëzonte të paktën një herë të vetme, hapësirën në media, në rrjetet e veta sociale, për t’u bërë një thirrje të sinqertë qytetarëve: VAKSINOHUNI!”, bëri thirrje Manastirliu.

Manastirliu në fjalën e saj u shpreh se luftës për jetën i bëjnë dëm deklaratet dhe debatet shterpë në kohën që qytetarëve u duhet bërë thirrje për t’u vaksinuar.

“Luftës për jetën, i bëjnë dëm deklaratat e hedhura pa teklif, sa nga dritaret e rrjeteve sociale, e ndonjëherë edhe nga deklaratat e të papërgjegjëshmve për fat të keq edhe në këtë sallë, për “vaksina të pasigurta”. Luftës për jetën e qytetarëve i bëjnë dëm edhe thirrjet për të nxirë dhe shtrembëruar realitetin e spitaleve, duke i bërë njerëzit të hezitojnë, dhe ta mbajnë frymën në spital, atëherë kur mund të jetë tepër vonë. Edhe debatet shterpë që nuk lënë gjë pa e përdorur për politikën e ditës, apo sinkronin e mbrëmjes, nuk i shërbejnë luftës për jetën, që stafet tona po e zhvillojnë prej gati dy vitesh”, tha Manastirliu.

Më tej, ministrja theksoi edhe njëherë  se Akti Normativ që do të votohet sot i hap rrugë 500 mijë vaksinave Pfizer që do të mbërrijnë deri në dhjetor.

“Dua të jem e qartë me ju nuk po flas vetëm port popullatën mbi 18 vjeç, që është popullata target që i kemi siguruar 4 milion dozat. Flas edhe për dozat e treta nëse do të nevojiten, nëse ekspertët do të vendosjen. Akti normativ që do të votojmë sot i hap rrugë 500 mijë vaksina Pfizer seria e parë e të cilave vjen gjatë tetorit. Brenda këtij viti do të arrijmë deri në 3 milion dhe deri në gjysmën e vitit tjetër deri në 5 milion. Sot kemi 1.7 milion vaksina të kryera,” u shpreh Manastirliu.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re