Këtë të hënë në Shqipëri do të mbërrijnë edhe 8.190 doza të tjera të vaksinës Pfizer. Lajmin e dha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë fjalës së saj në seancën plenare, bën me dije “Vizion Plus”.

 

 “Në një luftë brrylash në tregun e madh global të vaksinave, ku me sa duket mbizotëron filozofia e më të fortit, imagjinoni çfarë përpjekjesh të jashtëzakonshme i janë dashur Shqipërisë tonë të vogël, për të siguruar një kontratë të drejtpërdrejtë me Pfizer për 500 mijë vaksina, nga e cila kanë mbërritur mbi 8 mijë doza deri më sot, dhe pritet lëvrimi i 8190 dozave të tjera sot, e kështu duke vijuar me kalendarin e ardhjes së vaksinave”, tha Manastirliu.

 

Ministrja e ndali theksin edhe tek të gjithë mjekët e infermierët e vaksinuar deri tani. Ajo dha një përgjigje edhe për debatin e hapur për vaksinimin e personaliteteve mbi 80 vjeç.

 

 “Sot ne kemi mbi 4600 jetë mjekësh, infermierësh e stafesh spitalesh më të mbrojtur, për shkak të vaksinimit. Sot kemi mbi 400 jetë të moshuarish në azile, të moshuarish mbi 80 vjeç dhe kujdestarësh, më të mbrojtuara për shkak të fillimit të vaksinimit. Më lejoni gjithashtu të shpreh dhe keqardhjen më të thellë për dezinformimin që ushqeu më tej disa reagime të pajustifikueshme njerëzish publikë për vaksinimin e disa qytetarëve që ishin pjesë e këtij grupi të parë, pikë së pari se ishin mbi 80 vjeç. Vërtet janë personalitete që i bëjnë nder këtij vendi dhe shoqërisë tonë, por ama kriteri dhe vetëm kriteri i moshës u mundësoi të ishin pjesë e një procesi që filloi me të moshuarit në azile. Do të vijojë dhe me +80 vjeçarë të tjerë, sipas planit për çdo fashë të grupmoshës mbi 80 vjeç”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re