Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj ka lëshuar sinjale të forta nga qelia e paraburgimit të Durrësit ku ndodhet prej muajsh. Ai ndan një video kur ka qenë në zyrë, teksa në dorë mban një rosak dhe lëshon sinjal për “shokët” që e kanë tradhtuar.

Nuk habitem që shokët e mi, vetëm me një certifikatë lindjeje dhe hidhërim brezash, po humbasin gjumin për disa postime në TikTok. Rri i zemëruar dhe mos u qetëso kurrë”, shkruan Veliaj, teksa ka zgjedhur një këngën “Mask Off” për ta shoqëruar. Pra, “maskat ranë”.

Një sinjal i fortë që kryebashkiaku ka zgjedhur të ndajë është dhe ai për “Nesti A.”, personin anonim që çoi në burg Erion Veliaj duke dërguar në SPAK mjaft materiale kompromentuese që tronditën pozitat e tij përballë drejtësisë.

“Rosaku që po mbaj në dorë quhet Nesti A. Është i vogël, qesharak, i zhurmshëm por përballë meje duket si mizë”, shkruan kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, duke zgjedhur tashmë t’u tregojë të gjithëve se ai e di kush është personazhi anonim që e kallëzoi në SPAK dhe e çoi prapa hekurave.

Pak ditë më parë, gazetarja Anduena Llabani deklaroi se Erion Veliaj e kishte marrë vesh se kush ishte personi që fshihej pas identitetit që në realitet nuk ekziston.

“E ka thënë Veliaj brenda qelisë, që Blendi Gonxhe është Nesti Angoni. Se kush e ka bërë puçin, këtë e dinë ata”, ka deklaruar ajo, duke zbardhur një episod nga përgjimet ambientale që janë zhvilluar në qelinë e paraburgimit të Durrësit, ku mbahet kryebashkiaku Erion Veliaj.

Sipas saj, kryebashkiaku e ka mësuar se kush qëndron pas këtij identiteti të rremë dhe e ka kërcënuar përmes telefonit. “Nga survejimet dhe përgjimet ambientale dhe telefonatave në qeli, ka rezultuar se Erion Veliaj ka komunikuar dhe kërcënuar personin në fjalë”, vijoi ajo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko