E hëna që vjen do të rikthejë në bankat e shkollës rreth 31 mijë maturantë për një periudhë 3 javore.

Vizion Plus ishte në gjimnazin “Partizani” për parë nga afër të gjitha masat e sigurisë që do të garantojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Lëvizja e nxënësve për hyrjen në shkollë do të jetë e drejtuar sipas kësaj trajektoreje dhe cdo ditë para fillimit të mësimit do t’u matet temperatura dhe do të pajisen me maska dhe doreza.

LUIZA MUSTAFAJ

DREJTORESHE E GJIMNAZIT “PARTIZANI”

Në shkollë do të ketë asistencë mjekësore, të cilët do të kujdesen për hyrjen dhe daljen e nxënësve nga mjedisi mësimor, do ketë vetëm një hyrje dhe një dalje në institucion për t’u kujdesur për të mos sjellë infeksion nga jashtë. Stafi mjekësor kujdeset për shëndetin e nxënësit, mat temperaturën nëse shfaqin simptoma, i dërgojmë në shtëpi dhe njoftojmë prindërit. Stafi mjekësor do të jetë deri në fund të procesit mësimor.

Numri i nxënësve në klasa do të jetë i reduktuar për të respektuar distancën fizike mes tyre. Ambientet janë të pajisura me dezinfektantë dhe me udhëzimet përkatëse për respektimin e masave të higjenës.

Ne jemi kujdesur të kemi jo më shumë se 10 nxënës nëpër klasa, duke ruajtur parimin e distancimit social, jo më pak se 2 metër mes nxënësve, mbi bazën e këtij parimi dhe zgjedhjeve që kanë patur për provimet e maturës shtetërore, ne i kemi ndarë nxënësit në 24 klasa, 24 matura.

Orët mësimore do të jenë për konsultime për lëndët që maturantët do të japin provimet e maturës shtetërore.

Kemi organizuar një orar të ri mësimor mbi bazën e këtyre lëndëve, çdo ditë nxënësit do bëjnë të njëjtat lëndë, të provimeve të maturës shtetërore.Orët do të jenë 45 minuta, procesi i mësimit do të jetë një proces ku së pari do të kujdesemi për ruajtjen e distancës dhe të kujdesit për shëndetin e nxënësve dhe së dyti për realizimin e programit mësimor.Programet lëndore në këtë periudhë janë të mbështetura në programet orientuese të Ministrisë së Arsimit mbi programin e klases 10, 11 dhe periudhës së parë të klasës 12.

Prej tre muajsh maturantët kanë zhvilluar mësimin online, orë mësimore të cilat nuk do të përfshihen në përmbajtjen e provimeve të maturës shtetërore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re