Eksperti Ervin Karamuço ka pësuar një aksident disa ditë më parë në Tiranë, si pasojë e manovrave të rrezikshme të kryera në rrugë nga disa të rinj.

Ai shprehet se e ka denoncuar këtë fenomen të rrezikshëm disa muaj më parë në një studio televizive, dhe tashmë ka mbetur vetë i dëmtuar nga loja Saint Andrea.

“E denoncova me Alban Dudushi fenomenin Saint Andrea dhe në vigjilie të këtyre krishtlindjeve u bëra viktima e saj e rradhës pikërisht në Sheshin Nënë Tereza, Tiranë. Ruani veten dhe fëmijët miq, sepse manovrat e papërgjegjshme të shpejtësisë në rrugë, rrezikojnë kalimtarët, sidomos këto ditë festash. Zoti qoftë me ne…”, shkruan Karamuço në postimin e tij në rrjetet sociale.

Përpara këtij aksidenti, që urojmë të ketë qenë pa pasoja të rënda për Karamuçon, eksperti ka treguar dhe rrezikun e lojërave me gara makinash, apo manovra të rrezikshme në rrugë.

“Mbajeni mirë mend këtë trend, Saint Andrea është një grupim personash që në rrjetet sociale sevir video të makinave luksoze me shpejtësi, aplikohet shumë, përditë keni video në rrjetet sociale, me manovrime të rrezikshme, sidomos në rrugët e qyteteve.

Policia është vënë në dijeni për këtë, janë djem që shfrytëzojnë mjetet e luksit, edhe në efektin e lëndëve psikotrope. Kjo hyn te krimi kibernetik, nëse do të kishte hetues, mund të gjendeshin IP e këtyre personave, dhe të parandaloheshin si kontigjent krimi”, shpehej pak muaj më parë Karamuço.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re