Kreu i Kadastrës Artan Lame e ka quajtur sukses mbylljen e procesit të regjistrimit fillestar të fshatit Gjilekë të Bashkisë Himarë.

 

Sipas Lames, Gjileka është fshati i radhës që Kadastra kryen regjistrimin fillestar për 248 pasuri.

 

Lame u shpreh se në vitin 1994 është bërë ndarja e tokës bujqësore dhe fshatarët janë pajisur me tapi dhe që prej kësaj kohe nuk kanë mundur ta regjistrojnë tokën e fituar me ligjin 7501.

 

“Në mungesë edhe të hartës, poseduesit e tokës as nuk kanë mundur ta rrethonin tokën për shkak se nuk kishte hartë për kufinjtë. Në mungesë të regjistrimit asnjëri prej tyre nuk mund ta shiste tokën në rrugë të ligjshme. Madje as kanë mundur ta mbrojnë nga grabitësit, pasi nuk kishin një dokument pronësie. Tani me dokumetin e pronësisë, banorët e Gjilekës mund ta shesin, të marrin kredi apo të ndërtojnë në tokën e tyre tashmë me certifikatë”, tha Lame.

 

Sipas Lames, regjistrimi fillestar në këtë zonë është i rëndësishëm për gjithë banorët dhe për t’i ardhur në ndihmë edhe turizmit në këtë zonë bregdetare, ndërsa në mënyrë simbolike i është dorëzuar një banori certifikata e tokës.