Zërave të shumtë publikë për shkarkimin apo dorëheqjen e minsitrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, u është bashkuar së fundi dhe mbesa e kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi.

Irsa Ruçi, e cila është pjesë e organizatave të ndryshme rinore, tregon njohjen e saj prej shumë vitesh me Lleshajn, e deri në momentet kur flasim, teksa gjenerali i ushtrisë ka injektuar shtetin policor.

Ruçi shkruan në postimin e saj se Lleshaj po promovon një polici të egër, që nuk e fiton dot me forcën e arsyes respektin, por me dhunë dhe forcën e plumbit. Ajo shton se kjo nuk është Policia që sot shqiptarët duan, ndërsa shton se gjëja më e drejtë që ai do të bënte sot është të jepte dorëheqjen.

Reagimi i Ruçit:

Unë zotin Lleshaj e kam njohur qysh në fëmijërinë time, kur ishim komshinj dhe ai më merrte mua e time motër, bashkë me dy vajzat e veta çdo mëngjes në makinë për të na çuar në shkollë. Pastaj, u largua nga ajo lagje, më tej jashtë Shqipërisë; dhe e para herë pas shumë vitesh kur e takova, ishte në zyrën e tij, ndërsa punonim në të njëjtin institucion. Isha ndër njerëzit e parë që paraqitesha në punë dhe thuajse e shihja përherë aty.

Një ditë i trokita në derën e zyrës për ta përshëndetur, duke ruajtur kujtimin e mirë që kisha nga fëmijëria. E pashë që u ndje i bezdisur, në një bisedë të shkurtër më tha disa fjalë “I miri ja bën vetë vendin vetes”; dhe nuk e kuptova me ç’ qëllim m’i vuri në dukje. Për të më përgëzuar që unë 23 vjeç kisha arritur atë nivel që ai pas shumë vitesh përpjekje arriti; apo për të më mbyllur derën për në vazhdim, nëse ndonjë ditë do më shkonte ndër mend t’i kërkoja ndonjë nder.

Gjithsesi, isha me zotësinë time atje ku isha dhe nuk ja mora fare për keq ato fjalë, madje i dhashë të drejtë.Kur kryeministri i besoi një tjetër detyrë, mu kujtua korrektësia e z. Lleshaj në punë dhe besoj nuk jam e vetmja që kam vënë re se z. Rama i ka qejf njerëzit e punës dhe dëshiron t’i promovojë e tu japë një dorë. Kushdo që ndihet shumë lart në vlera vetë, gjithmonë jep dorën për të ngritur të tjerë, e asnjëherë nuk shfaq bërrylat.

Sot, z. Lleshaj po promovon një polici të egër, që nuk e fiton dot me forcën e arsyes respektin, por me dhunë dhe forcën e plumbit. Kjo nuk është policia që Partia Socialiste krijoi para 7 viteve, kur e veshi me dinjitet dhe respekt; e kjo nuk është as policia që ne duam. Sepse polici nuk është gogoli që gjyshet u tregojnë përralla fëmijëve për të ngrënë ushqimin. Policia është fytyra e këtij kombi.

Dhe njerëzit e kësaj toke kurrë nuk kanë ngritur dorë ndaj bashkëkombësve të tyre, por e kanë larë këtë dhè me gjak për ta mbrojtur Shqipërinë. Rama ishte i pari kryeministër që i dha vlerë policisë së shtetit dhe e ngriti në piedestalin e merituar, ku polici nuk ishte më batakçiu i rrugës, por mbrojtësi dhe luftëtari i kohës moderne, gjithnjë për të dalë krah çdo shqiptari në rast nevoje.

Ishte hera e parë në historinë e Shqipërisë që policia u vesh me atë autoritet dhe vlerësim; dhe me vizionin e kryeministrit eci në atë linjë. Ndaj, ju sot z. Lleshaj nuk e meritoni atë post, sepse po ngjallni një frymë që shkon kundra rrymës për të cilën jeni besuar të ushtroni detyrën.

Gjykoj që duhet të jepni dorëheqjen, e duhet ta bëni ju vetë, të vijë si kërkesë prej vullnetit personal; në mënyrë që të ruani së paku dinjitetin për vitet e jetës që ju kanë mbetur, sepse burrërinë e gjykoni ju vetë sa e keni në sytë e shqiptarëve.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re