Skip to content

“Me shumë dhimbje e them, po shkojmë drejt shpopullimit”, administratori në Shkodër: Nuk u ofrojmë banorëve shërbimet bazike, as energji elektrike…

Zona e Dajçit në Bashkinë Shkodër po shkon drejt shpopullimit, pasi banorëve nuk u ofrohen gjërat më bazike. ‘Alarmi’ vjen nga vetë administratori i kësaj njësie, Gjovalin Darragjati, i cili thekson se në vitet e fundit janë larguar mbi 1000 persona.

Fjala e administratorit:

Me shumë dhimbje e them por zona e Dajçit po shkon drejt shpopullimit për shumë arsye, por më kryesorja është se ne nuk u ofrojmë dot banorëve gjërat më bazike më elementare. Kjo fillon që me energjinë elektrike e cila ndërpritet në mënyrë të vazhdueshme.

Më pas vjen edhe problemi i pajisjes me certifikata legalizimi për banesat apo certifikatat e pronësisë për tokat. Këto janë gjëra të lidhura zinxhir, sepse nëse nuk ke certifikatë prone nuk mund të zhvillosh biznesin pasi nuk ofron asnjë lloj garancie për kolateral.

Kështu po shkojmë drejt shpopullimi fatkeqësisht. Për nja njëmijë burokracira, banorët nuk mund ta përballojnë më këtë situatë kështu që kanë zgjedhur rrugën më të shpejtë që është emigrimi. Në katër vitet e fundit mund të jenë larguar diku te 1040 veta dhe kjo shifër vazhdon e rritet gjithmonë e më shumë.

Kjo njësi përballet thuajse çdo vit me përmbytjet. Administratori tregon se fshati Darragjat ka probleme serioze me argjinaturën, ku asnjë ndërhyrje nuk është bërë pavarësisht premtimeve. Sipas tij, janë rreth 130 banesa që rrezikohen nga argjinatura nëse nuk ndërhyhet.

Njësia Administrative Dajç në Bashkinë Shkodër përbëhet nga 11 fshatra.

/faxweb