Lulzim Basha e Fatmir Mediu kanë komunikuar shpesh gjatë javëve të fundit, por një marrëveshje mes dy aleatëve tradicionalë ende nuk ka.

Kryetari i partisë Republikane mbështetet në rezultatet e partisë që drejton në zgjedhjet e kaluara duke këmbëngulur se marrëveshja nuk mund të vendosë shenjën e barazimit me aleatët e tjerë, por duhet të reflektoje peshën elektorale të PR.

 

FATMIR MEDIU

KRYETAR I PR

 

“ Partia republikane ka marrë mandate në tiranë në çdo lloj kohe, ka marrë mandate dhe në qarqe të tjera. Ajo që po diskutojmë është që ne kemi një listë e cila vendoset në mënyrë proporcionale sipas rezultateve të partive politike. Pastaj kush janë individët që do të jenë në këtë listë për konkurrim PR është tërësisht e hapur  që të ketë kualitetet që mund të jenë të PR apo të PD në mënyrë që të bëjmë maksimumin në këto zgjedhje.”, tha ai per Vizion Plus

 

Sipas Mediut, i cili foli per Vizion Plus, bisedimet brenda koalicionit duhet të mbyllen sa më shpejt në mënyrë që opozita të nisë fushatën elektorale.

 

“Unë mendoj se duhet mbyllur sa më parë sepse sa më shumë të zgjasë kjo aq më tepër rëndon kjo në punën e çdo subjekti politik. Nuk është në interesin e partisë demokratike që PR të mos ketë të qartë mënyrën e angazhimit në koalicion.”  

 

Deri më tani, Basha dhe Mediu kanë rënë dakord vetëm që do të jenë në një koalicion.

 

 

“Ne do të kemi një koalicion opozitar, sepse qëllimi ynë i përbashkët është largimi i këtij regjimi të korruptuar. Dhe për ta bërë këtë të mundur është që ai program i PD dhe idetë e partive të tjera duhet të jenë një program qeverisje.”

 

Partia Republikane në zgjedhjet e vitit 2017 kur opozita garoi e gjitha me siglën e PD kishte dy vende në listën e Tiranës, vetë Mediu në pozicionin e 10 dhe Blendi Sulaj në pozicionin e 14. Mbetet për t’u parë nëse negociatat këtë herë do të prodhojnë për republikanët të njëjtën renditje në qarkun më të madh të vendit.