Flet aktorja e mirënjohur e teatrit dhe filmit, Merita Smaja: “Jeta mes dy artistësh, e vështirë dhe e bukur, sepse ky profesion të dhuron kënaqësi shpirtërore por të krijon vështirësi materiale, jeta nuk është vetëm shpirt, është edhe përballje me vështirësitë e të jetuarit, e rritjes së fëmijëve, e krijimit të një mirëqenie, por për artistin është e vështirë e kur të dy bashkëshortët janë artistë, vështirësitë shtohen.

Por me dashuri kalohet gjithçka, forca jone ishte dashuria e kjo na e bënte jetën e bukur edhe kur nuk ishte e tillë, edhe kur nuk kishim asgjë, edhe kur mungesat ishin të mëdha. Të dy bashkë përballonim vështirësitë më të mëdha e sot ai më ndihmon edhe prej atje ku është dhe unë e kam pranë në çdo moment. Më vijnë në vesh fjalët e tij sa herë që gjendem keq, e i them vetes ec se nuk je vetëm. Dashnia i kalon kufijtë e të zakonshmes, të jep forcë edhe kur është përtej.”

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ka pak që i ka kaluar të 60-at por Merita Smaja është dinamike dhe në aktivitet si gjithmonë. Përballë publikut kombëtar ajo është së fundmi me rolin e saj plot humor të një nëne shqiptare, në serialin televiziv komik “Familja Kuqezi”. Por ndërkohë ka në duar një rol që e mban të mbërthyer në prova ditë e natë, në Teatrin “Migjeni” në Shkodrën e saj të dashur.

Merita, një zonjë e hijshme dhe e qeshur, nuk e ka pasur fushë me lule jetën e saj. Siç e thotë edhe vetë, jeta e dy artistëve ka qenë e bukur por edhe e vështirë sepse artistët shqiptarë nuk kanë qenë kurrë të shpërblyer siç duhet në këtë vend. Por goditjen më të rëndë, ajo e mori kur u nda nga jeta papritur Fatbardh Smaja, dashuria e jetës së saj, një artist, aktor, muzikant, regjisor i njohur në qytetin e Shkodrës.

Por si një grua e fortë Merita Smaja vazhdon të jetë në aktivitet të plotë sepse dashuria e publikut nuk i ka munguar kurrë. Në këtë intervistë ekskluzive për Albanian Free Press vjen një nga aktoret më të talentuara në teatër, një prezantuese hirplotë, libretiste e poete, që ka gjetur kohën edhe të përçojë dashurinë për aktrimin tek brezat e rinj.

 

E dashur, këto kohë je shumë e zënë me prova ndaj të falenderoj që gjete kohë për mua. Çfarë pjese ke në gatim e sipër?

Një fillim interesant , me stomakun , aty fillon gjithçkaja. Aty asht dashnia, aty shëndeti, aty jeta, aty përditshmëria. Megjithëse pyetja jote ashtë përtej stomakut, asht për atë që unë përtyp me shpirt. Asht një pjesë e Goldonit, “Kumarxhinjtë” e po punojmë me një regjisor italian që është vërtet shumë i veçantë, Michele Modesto Casarin. E unë kam Gondolfen, një personazh ironik që tregon si është gjendja morale sot, një pasanike që me para kërkon të blejë gjithçka, edhe dashurinë.

 

 Një fëmijëri dhe rini në lëvizje, nga Berati në Peshkopi. Jam kurioze se pse u zhvendosët në Peshkopi?

Unë kam lindur me një baba korçar e një nënë beratase, e lindur në Berat e rritur në Burrel, Peshkopi, sepse im atë ishte ushtarak. Shkollën e lartë e mbarova në Tiranë. Peshkopia më dha shumë, më tregoi se ç’është inteligjenca e lindur dhe humori burimor, aty hodha hapat e para si artiste.

 

Si ke qenë në fëmijëri, kurioze, çapkëne, e urtë? I doje mësimet?

Pyetje interesante, sepse më kujtohet vetja e turpshme, e ndrojtur, që skuqesha sapo flisja me dikë, por doja shumë librat, aty gjeja qetësinë dhe kur zhytesha në to, më dukej se isha në një tjetër botë që më përkiste vetëm mua. Ishte bukur e më pëlqente fakti që askush nuk gjykonte e isha vetja. Mësimet ishin gjëja që doja më shumë në jetë.

 

Në cilën fazë të jetës vendose për aktrimin dhe pse?

Eh, isha në gjimnaz me një përvojë të mirë sportive, me rezultate të mira në sport, atletikë e alpinizëm, por letërsia ishte dobësia ime, shkruaja bukur, kështu më thoshin, e ai që e thoshte këtë ishte mësuesi im i letërsisë, Gjyzel Hasani, një ndër më të mirët e më të kulturuarit, ai ishte i pari që më tha se unë kisha prirje për t’u bërë aktore, e duhet të shkoja në Tiranë. Unë isha skeptike sepse isha më e mirë në matematikë e fizikë.

Në shkollë të mesme më përzgjodhën që të interpretoja në një shfaqje, “Maro Mokra” e unë kisha rolin kryesor. Qe një sukses e të gjithë mendonin se unë duhet të shkoja për aktrim, aty e vendosa. Edhe pse familja ime nuk ishte dakord, ata donin që unë të bëhesha mjeke, sepse isha shumë e mirë me mësime e kisha një zell të madh për të studiuar.

 

Një vajzë e re, ndoshta pa përkrahje, vjen në Akademi. Si e kujton atë kohë?

Vërtet isha një vajzë e re, pa asnjë përkrahje, por e bindur se nëse nuk bëja për aktrim, unë vleja për diçka tjetër. Kjo më bënte të fortë e me këtë mendim erdha në Akademi. Nuk kisha frikë, unë isha një nxënëse me rezultate shumë të mira e mund të shkoja kudo, por kjo dëshira për teatrin më bëri të ndryshoj mendim, ndaj erdha, edhe pse nuk njihja askënd, edhe pse nuk e dija si ishte bota e artit.

 

 A ka ndonjë emër të njohur që të ka mbështetur më fort?

E kujtoj atë kohë sikur të ishte sot. Isha një femër nga Peshkopia që po konkurroja me gjashte djem, dikush prej tyre njihte Kadri Roshin e shkoi që ai ta dëgjonte. Unë nuk njihja askënd , por shkova bashkë me të, tek Teatri Kombëtar te studiot që ishin aty ku sot është Teatri eksperimental. U ula diku në qoshe e po shihja si po punonte, e adhuroja Kadri Roshin si aktor, më dukej një magji që po e shihja e ai po fliste. Kur mbaroi me të, u kthye nga unë e më pyeti: “Po ti pse je këtu? Do shkosh për aktrim?” “Po!”- i thashë unë dhe u skuqa . “Eja këtu në skenë dhe bëj diçka!”-më tha.

Unë bëra fabulën dhe poezinë. “Po monolog çfarë ke marrë”- më pyeti. Ju përgjigja se kisha gati monologun e vajzës te “Djem të mbarë”. Më kërkoi që ta dëgjonte dhe unë e interpretova, më ktheu e me tha se ai ishte në rol babai eunë vajza dhe që do ta interpretonim bashkë pjesën. Kisha emocione të papara. Në fund na ftoi të pimë një kafe e aty më pyeti a isha unë e bindur që do të shkoja në Akademinë e Arteve dhe unë u përgjigja Po, po me zë të lehtë. “Më shih në sy e bjeri fort tavolinës me grusht e thuaj, ‘po dua të shkoj’ dhe do të shkosh.”-më tha profesor Kadriu.  Ende më ushtojnë në vesh fjalët e tij, një gjigand i skenës dhe i ekranit.

 

Lexova se ke mbrojtur diplomën në Estradën e Peshkopisë. Më tregon diçka më shumë?

Kur mbarova Akademinë unë shkova me punë në Peshkopi, aty nuk kishte teatër por vetëm estradë  dhe punova aty me regjisor Skënder Salën, njeri i apasionuar dhe shumë i talentuar, kur unë doja të mbroja diplomën ai bëri një shfaqje të veçantë, ku më dha shumë materiale të ndryshme që unë të mund të paraqitesha sa më mirë, atë natë që unë mbrojta diplomën, gjithë Peshkopia e dinte dhe salla ishte mbushur plot e përplot e jashtë kishte më shumë njerëz se brenda, u vunë altoparlantë që të dëgjonin të gjithë brenda e jashtë dhe duartrokitjet ishin të stuhishme brenda sallës e jashtë saj. Kur mbarova shfaqjen e pashë çfarë ndodhte jashtë, derdha lot. Ishte dhurata më e bukur që ai qytet më ka bërë mua.

 

 Si ndodhi kalimi në Shkodër, në Teatër?

Në Shkodër shkova sepse isha dashuruar me një shkodran i cili nuk duronte të më kishte larg vetes e më mori aty edhe pse ishim të fejuar.

 

 Publiku i madh të di shkodrane, por çfarë është Shkodra për ty?

Ehhhh e vërtetë, të gjithë me quajnë shkodrane e kjo është gjëja më e bukur e dhurata më e madhe që më bën ky spektator i mrekullueshëm. Për mua Shkodra ashte dashni, dashni e pafund dhe nuk e ndërroj me asnjë qytet tjetër.

 

 Në qytetin magjik lindi dashuria për shokun e jetës?

Jo, dashnia për shokun, mikun, kolegun, bashkëshortin, dashnorin tim lindi në shkollë, ishim shokë klase në Akademi, aty lindi gjithçka e u rrit për t’u ba një dashni e pavdekshme. Vazhdon edhe sot edhe pse përtej. Po unë jam me të e do jemi sërish bashkë.

 

Një çift i admirueshëm, ashtu ju mbaj mend, dy të bukur artistë bashkë. Pa dashur të hap plagë, por si ishte jeta mes dy artistësh?

Ishte jetë e vështirë dhe e bukur, sepse ky profesion të dhuron kënaqësi shpirtërore por të krijon vështirësi materiale, jeta nuk është vetëm shpirt, është edhe përballje me vështirësitë e të jetuarit, e rritjes së fëmijëve, e krijimit të një mirëqenie, por për artistin është e vështirë e kur të dy bashkëshortët janë artistë, vështirësitë shtohen. Por me dashuri kalohet gjithçka, forca jone ishte dashuria e kjo na e bënte jetën e bukur edhe kur nuk ishte e tillë, edhe kur nuk kishim asgjë, edhe kur mungesat ishin të mëdha.

Të dy bashkë përballonim vështirësitë më të mëdha e sot ai më ndihmon edhe prej atje ku është dhe unë e kam pranë në çdo moment. Më vijnë në vesh fjalët e tij sa herë që gjendem keq, e i them vetes ec se nuk je vetëm. Dashnia i kalon kufijtë e të zakonshmes, të jep forcë edhe kur është përtej.

 

 Keni interpretuar në qindra role në teatër e disa në film, keni ndonjë më për zemër dhe ndonjë rol që e dëshironi të vijë?

Po kam interpretuar shumë dhe i dua të gjitha rolet e mia, janë krijesa edhe pse njëra më e mirë e dikush më pak, por janë të dala nga shpirti im e unë i dua. Nuk e di a do doja të përsëris ndonjërin, por jo, mendoj se tani kam një moshë tjetër e dua të bëj rolet që janë të përshtatshme për mua. “Ledi Makbeth” do ishte një rol që është brenda meje dhe e dashuroj.

 

 Magjia e teatrit është unike. Si do ma përshkruaje?

Teatri asht shpirt e shpirti nuk vdes kurrë, ndaj dhe teatri ka një magji të veçantë.

 

Mendon se mund të kishe luajtur më shumë filma?

Ndoshta mund të kisha luajtur por atëherë edhe kur na kërkonin nuk na lejonte drejtoria e teatrit. Filmi për mua nuk ka qenë dashuri më e madhe se teatri.

 

 Publiku është afeksionuar shumë me rolin tuaj në komedinë serial televiziv “Familja Kuqezi”. Si erdhi ky bashkëpunim?

Ishtë një ftesë e regjisorit Bledar Linza, që më ftoi në serial e unë shkova e takova, ramë dakord e më pëlqeu shumë stafi, gjatë gjithë kohës ishim si një familje edhe pse unë isha e vetmja që vija nga larg, pra jo nga Tirana, por vërtet kemi punuar bukur, e mendoj se ishte ndër eksperiencat më të bukura.

 

Një ekip që duket si një familje në këtë komedi. Ashtu jeni vërtetë?

E thashë edhe më lart, vërtet ndihemi të tillë dhe në një serial është domosdoshmëri, ndryshe nuk funksionon.

 

Meritë, çfarë pëlqen të bësh në kohën e lirë?

Të lexoj, të shkruaj, të lexoj poezi e të komentoj, të merrem me të rinjtë që e duan teatrin dhe poezinë.

 

Je një artiste poliedrike, aktron, shkruan, drejton, prezanton. I shikon plotësuese këto dhunti? Cilën pjesë do më shumë?

Të gjitha më pëlqejnë, sepse janë pjesë e punës sime. Kur jam e trishtuar shkruaj poezi edhe prozë, jam pak e hidhët, por e tillë është jeta, më pëlqen të punoj me të rinjtë, me nxënës e studentë dhe kam vënë disa pjesë, mendoj me sukses e mbi të gjitha kam zgjuar te të rinjtë dashurinë për teatrin e sot ata nuk ndahen nga teatri e ky është mision i çdonjërit prej nesh që merremi me art. Unë vazhdoj të dua aktrimin e do e dua deri në fund, pa ju ndarë asnjërës nga të tjerat pasione që kam.

 

Aktor dhe politikë, dashuri apo urrejtje? A mbështetet arti nga politika këtu?

Nuk mendoj se aktorin e ndihmon politika, aktori duhet të rrijë te arti, por kur politika e prek artistin, duhet të jemi të gjitha bashkë për me e mund politikën. Politika gjithmonë e ka përdor artin dhe artistin për interesat e veta por ka ardhur koha që artisti të mos lejojë askënd ta përdorë atë, artistin mundet me e përdor vetëm arti.

 

Rolet e tua të heroinave kanë marrë dhe çmime. Do të kishe një dedikim ose këshillë për femrën shqiptare?

Po, kam marrë dy çmime si aktorja më e mirë me dy role femrash, Heroinën e Grave te “Vizita e Fundit” e Albri Brahushës dhe Merin te “Dy jetë” e Fadil Krajës dhe jam krenare se kam sjellë dy figura krejt të ndryshme që i flasin femrës shqiptare në mënyrë të ndryshme, kam marrë dhe çmimin si aktorja më e mirë e vitit 2017.

Për femrat shqiptare do thosha vetëm kaq, mos u përkulni kurrë para vështirësive, cilado qofshin ato, ju jeni ato që jepni jetë , që ndërtoni shoqëri, që dini të ecni përpara pa ndihmën e nevojën e kurrkujt, dashuria juaj lumturon.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re