Skip to content

“Meta më ka kritikuar, më mban distancë”, Kryemadhi tregon pse nuk mban maska: Ne të LSI-së e kemi imunitetin TOP (Çfarë i këshillon Ramës)

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve, nëse ka marrë kritika nga presidenti Meta, sa i takon deklaratave të saj për mosmbajtjen e maskës. Me humor Kryemadhi tha se presidenti i mban dhe distancë, ndërsa shtoi se duke qenë se ka mbaruar biokimi, e di shumë mirë sesi funksionojnë sëmundjet virale.

Kryemadhi tha më tej se LSI është e sigurt nga virusi, dhe nuk ka shans që të ketë persona të infektuar brenda saj, ndërsa nuk la mangët as këshillat për Edi Ramën, që të çojë ujë dhe sapun në shkolla.

“Sigurisht që kam marrë kritika nga presidenti, madje më mban edhe distancë sociale. Dua të them diçka që presidenti ka mbaruar shkollën për ekonomi politikë, presidenti ka mbaruar për vizatim, ndërsa unë kam mbaruar biokimi, dhe e di shumë mirë sesi mund të mbrohesh nga një pandemi dhe nga një gjendje virale.

Po të mos kesh frikë nga uji, po të dezinfektohesh, dhe të ndjekësh të gjitha rregullat e higjienës, normal që mund të kapesh më vështirë nga virusi.

Kjo sëmundje ka të bëjë kryesisht me imunitetin, dhe qytetarët nuk kanë mundësi që të ushqejnë me bukë fëmijët e tyre, gjë që nuk e bëjnë dot shqiptarët. Që të kesh një imunitet të mirë, duhet të kesh dhe një pagë të mirë, dhe një pozicion pune të mirë.

Maskat nuk ia kanë ulur numrin e personave që janë të sëmurë, madje nga 27 kanë shkuar 300 në ditë, ky zotëria meqë na qenka kaq menaxher i mirë, tiu japë të paktën paratë qytetarëve që kurohen nëpër shtëpia.

Për të luftuar virusin bën mirë që të çojë ujë dhe sapun në shkolla, dhe të mos i mbajë fëmijët me nga katër turne, pasi ata janë trasmetuesit më të mëdhenj të sëmundjes, edhe pse vetë nuk i shfaqin simptomat. Të jeni të bindur që LSI-në nuk e zë asnjëherë virusi, edhe ndonjë që mund ta kalojë tangent, e kalon pa pasoja, ne të LSI-së jemi top me imunitetin”, u shpreh Kryemadhi.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb