Ish-kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani ka deklaruar se ndihet krenar për vlerësimin që i ka bërë DASH, që e quajti ithtar të procesit të reformës në drejtësi.

I pyetur për reagimin e ashpër të Presidentit Ilir Meta, i cili tha se shqiptarët me 25 prill do të votojnë edhe kundër mafias ndërkombëtare, Dvorani u shpreh se deklaratat e bëra kundër tij do t’i lexojë por nuk do t’i komentojë.

“Personalisht ndihem shumë krenar dhe i vlerësuar që një vlerësim i tillë më vjen nga DASH. Natyrisht që është vlerësim i lartë dhe mbi të gjitha unë do të thoja se nuk më përket vetëm mua personalisht, por e ndaj dhe i përket të gjithë magjistratëve të tjerë të cilët ndër vite nëpërmjet ushtrimit të detyrës kanë bërë maksimumin e mundësive të tyre që është në Shqipëri drejtësia të ketë kuptimin e vërtetë të kësaj fjale. Reagimet e personave të cilido qoftë do i lexoj po nuk kam ndërmend të bëjë komet për to. Mafia ndërkombëtare është diçka e pa komentueshme, ajo që mua më intereson është vlerësimi që kanë bërë SHBA për personin tim duke më bërë të ndihem krenar për veten dhe shumë kolegë të mi, të tjerat nuk kanë asnjë rëndësi“, tha Dvorani per “Report Tv”.

Sa i përket përplasjeve me presidentin Meta që nga video e Dritan Priftit, ku ai ishte i vetmi që doli kundër pafajësisë së Ilir Metës dhe përplasjet në Gjykatën Kushtetuese, Dvorani u shpreh se ai ka bërë vetëm detyrën e tij pa u ndikuar nga opinionet dhe personat qofshin ato me fuqi politike duke ruajtur standardin për zbatimin e ligjit.

“Unë gjithmonë kam bërë detyrën time, gjithmonë se më shumë se 15 vite në gjyqësor kamë mbajtur të njëjtin standard për këdo i fuqishëm apo i zakonshëm qoftë, kjo është e vetmja gjë që duhet të bëjë një gjyqtar, që të gjykojë çështjet sipas ligjit, pavarësisht interesave në lojë dhe pavarësisht personave të përfshirë në çështje që ke për të gjykuara. Çështjet nuk i zgjedhim ne na bien me short. Kam bërë detyrën tim sipas kuptimit që kanë pasur për ligjin pa u ndikuar nga askush“, tha Dvorani

Ditën e sotme, Departamenti Amerikani Shtetit ka renditur gjyqtarin Apelit Administrativ të Tiranës, si një prej 12 magjistratëve që kanë luftuar korrupsionin në vendet e tyre.

(E.H/Faxwe.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re