Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” Mehdi Bushatin, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributin dhe personalitetin e tij të gjithanshëm në sport dhe në jetë.

Figurë e shquar e sportit shqiptar; me cilësi të rralla si protagonist jo vetëm në fushën e lojës, por dhe si drejtues në funksionet më të larta sportive të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar”.

Ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh”, Kreu i Shtetit dekoroi Azis Tahiri (pas vdekjes) “Në shenjë vlerësimi për kontributin e madh në zhvillimin dhe rritjen cilësore të veprimtarive fizkulturore dhe sportive në vendin tonë, duke punuar me përkushtim në përsosjen e organizmin e tyre”;

Kristaq Miço “Në shenjë vlerësimi për kontributin e madh në zhvillimin dhe reformimin e strukturës së edukimit fizik dhe sportit të futbollit, duke punuar me përkushtim për arritjen e rezultateve të larta, nëpërmjet përmirësimit e zbatimit të projekteve të reja”;

“Është kënaqësinë e veçantë të vlerësoj disa nga drejtuesit më të lartë, por edhe personalitetet më të spikatura të sportit tonë, të cilët për dekada me radhë, me përkushtim, pasion dhe lidership i janë përkushtuar rritjes dhe zhvillimit cilësor të sportit shqiptar, duke promovuar vlerat e tij më të mira.

Të rëndësishme dhe jetike për sportin tonë kanë qenë reformat, përgjegjësitë që janë ndërmarrë, përhapja e veprimtarive sportive në niveli profesional, amator dhe zhvillimin e tij, sidomoshapja e klasave sportive.

Mehdi Bushati do të mbahet mend gjithmonë si sportist i nivelit të lartë, falë talentit të jashtëzakonshëm, por edhe si titullar plot autoritet i ‘Dinamos’ edhe Kombëtares sonë, si dhe kapiten i tyre pas një përfundimi me shumë sukses të karrierës sportive.

Ai ju përkushtua drejtimit të sportit, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për reformimin e strukturës dhe programeve sportive, në dobi të përmirësimit të kushteve ekonomike dhe stërvitore në të gjitha llojet e sportit shqiptar.

Jo pak herë ai është bërë garant për të ndihmuar të gjithë ata sportistë cilësorë, të cilët e kanë pasur të vështirë të bënin karrierë gjatë atij sistemi, për shkak të “luftës së klasave”.

Bushati mbahet mend si një mbështetës shumë i fuqishëm i sportistëve elitarë nga qitja dhe peshëngritja e të të gjitha llojet e sporteve.

Ai ka qenë iniciator e realizues i shumë reformave në fushën e sportit në vitet 1980-1990.

Ndaj ndihem shumë i kënaqur, ta nderojmë këtë personalitet që e meriton plotësisht vlerësimin nga e gjithë shoqëria.

Na vjen keq që nuk kemi këtu zotin Azis Tahiri, një personalitet shumë i nderuar, por kemi Ermalin i cili është produkt i edukimit që babai ka bërë direkt në familje.
Ermalin e mbaj mend edhe si një sportist shumë të talentuar.

Azis Tahiri ka qenë një pedagog i dalluar në Universitetin e Sporteve dhe kudo ka shërbyer.

Ka qenë Zëvendëskryetar i Komitetit Shtetëror te Kulturës Fizike dhe Sporteve, Sekretar i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, organizator i spartakiadave kombëtare dhe manifestimeve të mëdha fizkulturore-sportive.

Tahiri ka dhënë një kontribut të çmuar edhe me punimet e tij shkencore, veçanërisht për programet e edukimit fizik në shkollat tona.

Një tjetër personalitet i sportit tonë është zoti Kristaq Miço. Angazhimi i tij në fushën e sportit është pjesë e rëndësishme dhe e suksesshme e jetës së tij, por edhe arritjeve në periudhën që ai ka drejtuar.

Ai ka dhënë një kontribut të vazhdueshëm në të gjitha nivelet, nga mësues i edukimit fizik e deri si Kryetar i Federatës të Futbollit dhe në drejtimin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, në vitet 1982-1988.

Lame Konomi, ose si e quajnë ‘babai’ i KS ‘Tirana’ është një figurë e dashur, që kujtohet me shumë respekt nga sportistë, trajnerë, mësues e punonjës të edukimit fizik dhe sportit.

Ai ka qenë “babai” i Klubit ‘Tirana”, shumë i dashur dhe që kujtohet me respekt nga sportistët, trajnerët, mësuesit dhe bashkëpunëtorët e tij.

Si shef i Klubit të Tiranës, apo ‘17 Nëntorit’ siç quhej në atë kohë, ai ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të ndihmuar dhe arsimuar sportistët në fakultete të ndryshëm. Mbahet mend që sportistët e Klubit Tirana, sidomos në vitet 1960-1970, gati 70 % ishin me arsim të lartë, falë edhe kësaj mbështetje të tij.

Falë këtij përkushtimit dhe punës së shkëlqyer së Lame Konomit, Klubi bardhë e blu, fitoi trofe të panumërta në të gjitha drejtimet, jo vetëm në futboll, që ka qenë një nga periudhat më të lavdishme të Tiranës në atë kohë, por edhe basketboll për femra dhe meshkuj, qitje, atletik, gjimnastikë, mundje, pingpong e atletik.

Sporti është në radhë të parë solidaritet, është frymë ekipi dhe mbi të gjitha është koha sot, jo vetëm të flasim më shumë për sportin, por të mendojmë dhe më shumë për sportin.

Të rinjtë dhe fëmijët tanë jetojnë në një shoqëri shumë të ekspozuar ndaj problemeve sociale, ndaj është detyra e të gjithëve ne t’i afrojmë fëmijët me sportin, si një mundësi e shkëlqyer jo vetëm për t’u rritur të shëndetshëm por edhe për t’u edukuar me vlerat më të mira sportive e njerëzore.”, tha Meta në fjalën e tij.

Në vlerësim të kontributit të vyer të dhënë për rritjen dhe zhvillimin cilësor të sportit shqiptar, duke ndikuar me…

Posted by Ilir Meta on Tuesday, March 30, 2021