Miho Gjini

Këtu ku ndodhem “i arratisur”, në periferi të Athinës e më është arratisur edhe gjumi i natës, me ngushëllon hera-herës një nga shpikjet më të mrekullueshme të njerëzimit, vala televizive, që më sjellë vendin tim tek tarraca e shtëpisë ku fle beharit, nëpërmjet një “saçi”, i cili thith afro 800 stacione televizive nga e gjithë bota.

Po, në të kundërtën e rinisë tonë, atje në Shqipëri, kur rropateshim të sajonim një kanaçe, me një fare minerali që, edhe ai , thithte valët televizive të fqinjëve “revizionistë e kapitalistë”e ne të mjerët njerëz, të “Fanarit ndriçues të Europës!” mrekulloheshim, sepse na shtohej edhe një sy për ta parë ndryshe “botën e ndaluar”!

Dhe, ja tani ku e kam këtë “saç” gjigant, për të cilin nuk më “vërshëllen” askush, ndërkohë që unë gëzoj lirinë time. Paçka që më del gjumi në tre të mëngjesit e s’kam ç’të bëj tjetër veçse të shkel menjëherë butonin e televizorit që të më dalë përpara vëndi im, Piqerasi e Tirana, shoku e shoqja e dikurshme, shtëpia e deti, rruga dhe kalldrëmi i fshatit tim që më përlot.

E, ja ku sot herët, shumë herët, se ç’qëlloi një film dokumentar, ku m’u shfaqen shokët e Shkollës së Lartë të Aktorëve: Edi Luarasi, Mimika Luca, Albert Verria, Aishe Stari, Serafin Fanko, Bernard Kokalari, Filika Dimo, Mario Ashiku, Bexhet Nelku, Robert Ndrenika, Agim Qirjaqi e Vangjush Furxhiu….O ZOT! Vangjush Furxhiu?! Ç’më bëre kështu, o Mevlan vëllai!?

S’kisha pak ditë që isha ndarë me ish studentin tim Mevlan Shanaj e që nuk më ndahej në ato 8 ditët e Festivalit Teatror të Gjirokastrës, ku ishim të ftuar që të dy, ai në juri dhe unë në rolin e kritikut, po edhe për fatin e çmalljes që kushdo njeri me zemër e ndjenja të mira, e dëshiron, sikundër edhe muajit të kaluar, kur u bë sebep njëfarë projekti për të “zgjuar nga gjumi Teatrin tonë!”.

Pikërisht ky projekt shqiptaro-italian-malazez, më kishte afruar rishtazi me Mevlanin në Manastirin e Pojanit, që të flisnim edhe ne të dy, (çuditërisht në një Sesion Shkencor për Teatrin, jashtë Teatrit!) brenda këtyre mureve të një manastiri, ku na solli i biri i Jakov Xoxës, Agroni, drejtor kulture në Fier, ndoshta për të rikujtuar edhe të atin e tij, Jakovin, i cili e ngrysi këtu fundin e jetës se vet, në kërkim të gjëmave të “Lumit të vdekur” ,-një perlë e letërsisë shqiptare.

E unë do të gëzoja kështu edhe çastet e lumtura, që ndjen çdo mësues, kur takon pas pesë dekadash ish-studentin e tij, tashmë edhe ai me do fije floku të bardha mbi krye, aktor-regjisorin e dëgjuar e simpatik, i cili do të referonte edhe në një sesion shkencor, krahas profesorit të tij, që të mund te rishihnim edhe atë mrekulli që shfaqet kur, djali ia kalon babait dhe nxënësi mësuesit!

Dhe pikërisht aty do të mësoja se ai, ish-nxënësi, tani një burrë i pjekur nga jeta, Artist i Merituar, gjatë mungesës së “arratisjes” time të gjatë, kishte interpretuar në disa filma artistikë, kishte realizuar si regjisor për ekranin e kinemasë disa filma artistikë të tjerë, me metrazh të plotë, gjithashtu disa filma dokumentarë televiziv, të gjitha këto, krahas atyre regjisorëve e operatorëve të filmit shqiptarë që kishin studjuar në shkollat e huaja të Rusisë, Çekisë e të Hungarisë, sikundër ishin e u bënë korifej të filmit tonë artistik, si Kristaq Dhamo, Gëzim Erebara, Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, Pirro Milkani…

Pa e arritur të ndjerin Viktor Stratobardha, regjisorin e parë që studjoi në Moskë e s’mundi dot “ta gëzojë ekranin” me realizimet e veta, nga “prerja e duarve” që i bëri diktatura e do t’i ngryste vitet më të çmuara të jetës nëpër burgje, tok me mua, që dikur i mësoja aktrim Mevlanit, Timos, Birçes, Saimirit , Kristaqit, Petrikës, Llazit e Minellës….Oh, këta dy të fundit, artistë të lindur, ishin “pe Korçe” edhe ata dhe nuk ndaheshin asnjë minutë nga shoku i tretë i shkollës, Vangjush Furxhiu dhe që, për fatin e trishtë, nuk i kemi më, po që, na kënaqin tani, kur i shohim në ekranin e kinemasë, që të tre, falë këtij artisti që quhet Mevlan Shanaj!

E shikon njeriu filmin e Mevlanit për Vangjush Furxhin dhe të ravijëzohet figura e tij, në të gjitha dimensionet e tij artistike e njerëzore. Befas të ringjallet njeriu i dikurshëm! Syri i artistit ka fiksuar çaste të rralla të interpretimit të tij mjeshtëror, krahas veteranëve të skenës tonë, me një siguri e vlerë emocionale të sintezës së aktrimit, që le ta themi me zë të lartë, është një ekscepsion dhe do të jetë, jo pak herë edhe superior, brilant në krijimin e figurës artistike, me mjete shprehëse që zbulojnë natyrshëm vullkanizimin e shpirtit njerëzor, duke na i sjellë atë m’u përpara….

Kemi të bëjmë me atë trajektore dhe transformim të qenies e të gjendjes që realizon artisti i madh, i lindur si i tillë, me talentin embrional të origjinalitetit vetjak. Po, ndërsa në këtë film dokumentar, jepet me digresione bisedash prej të gjithë kolegëve potenciali përreth tij, sikundër ishin Anagnosti, Gjika e, mbi të gjithë, ish pedagogu i tij i mençur dhe fatkeq, i tij dhe i imi, Mihal Luarasi, -në filmin tjetër “Rrugët”, syri i Mevlanit tim e tuajit, sjellë në ekran të dy epokat njëherësh, me  një vizion rrëqethës, herë me varfërinë e tejskajshme të mizerabilitetit, me jetën “grubo” e herë me ca shtigje të ndritshme poezie, me forcën e natyrshmërinë qe ka arti i shtatë, me ca filmime që i ka bërë edhe vet me kamera në dorë, edhe atëherë, kur ndodhi përmbysja e u zvarritë shtatorja e Enverit deri tek konviktet e studentëve, po edhe në 97-ën e tmerrshme, kur vërshëllenin plumbat e vërtetë e s’dihej prej nga të vinin edhe plumbat qorr, si edhe, aty ku punonte Mevlani, nuk guxonte më të rrinte polici akoma, tek dera e Godinës se Televizionit të Shtetit! Se, s’kishte më Shtet!

Por, ky Mevlani, paskësh bërë edhe një film tjetër, që unë nuk e dija se e kishte realizuar Mevlani, filmin për bashkëfshatarin tim, për guximtarin kokë-krisur Vasil Llaçi, që e bëri vetë atë akt të shkëlqyer të heroizmit më të thjeshtë njerëzor, me atë kobure fshehur midis tufës së luleve, me të cilën “gostiti” Perandorin e Italisë, tek e përcillnin në Rrugët e Tiranës (për fat të keq, me lule!), në ato kohë të mbrapshta.

E putha Mevlanin në ballë, me një ngashërim lotësh, kur m’a tha dy javë më parë në Gjirokastër, me një modesti krejt të natyrshme, se edhe këtë film për heroin e fshatit tim e të të gjithë Shqipërisë ai e kishte bërë (!) sepse donte të ringjallte një trim, një djalosh të bukur, që edhe para litarit kërkoi, si dëshirë të fundit një krehër që të krihte balluket e të vdiste po kaq i bukur! (të cilin, për fat, aktori Kastriot Çaushi i ngjante aq shumë, saqë plakat e fshatit tim, tok  me nënën time, kur e panë filmin e Mevlanit, ulëritën e thirrën se na “erdhi djali në derë!”). Ja sesi forca e artit të vërtetë, i bëjnë njerëzit që të besojnë si në mrekullitë e natyrës, apo edhe të vetë një magjie…

Mbaj mënd se si studentin tonë Mevlan Shanaj na i“rrëmbeu” kineasti Viktor Gjika, akoma pa e mbaruar vitin e katërt, për t’i dhënë direkt kryerolin e filmit të tij “I teti në Bronz”, Ibrahim Kovaçin, që atëherë, publiku i etur për filmat shqiptarë me metrazh të gjatë, donte që ta shihte këtë personazh real, të vërtete, të thjeshtë, të gjallë, edhe të shkrirë në bronz, sikundër ndodhte me heronjtë e luftës, duke e mbartur atë me tezgë, si dikur të plagosurin e më pas të vdekurin, për ta vendosur në piedestalin e heroit, si të gjallët!

E, së toku edhe me partneren e tij të talentuar, nxënëse të Liceut Artistik, Yllka Mujon, do të interpretonin e do të miqësoheshin aq bukur me të mëdhenjtë e skenës dhe të ekranit, me Kadri Roshin, Sandër Prosin e Pandi Raidhin, po edhe me më të rinjtë, moshatarët e tyre, sikundër qenë Bexhet Nelku, Bujar Lako, Agim Qirjaqi e Vangjush Furxhiu, që na ikën aq shpejtë! Mbarimi i studimeve në Institutin e Arteve do ta gjente Mevlanin si regjisor në Televizionit Shqiptar Eksperimental, po edhe si folës, tok me Vera Zhejin.

Imponohet aty si regjisor profesionist, me gjetje e vizione filmike, aspak lineare, kur do të xhironte e do të rikërkonte e rikrijonte në ekran portretin e Tefta Tashko Koços e  të Marije Krajës. E do të “ngecte” në filmin për Beratin, me një realizim të shkëlqyer, sipas një skenari interesant të Shpëtim Ginës, me kamerën e Mjeshtrit Pali Kuke, të cilën nuk e dhanë dot në publik, ngaqë censorët partiak, “gjetën ca gabime ideologjike!”. Por ai do të vazhdonte jetën e aktorit në filmat “Guximtarët “, “Malet me blerim mbuluar” dhe “Rrugicat që kërkonin diell”, ku portreti artistik i Mevlanit do të bëhet, jo vetëm më i njohur, po edhe më i dashur për spektatorët tanë. E përsëri kemi një rikthim në Televizion, ku do të realizoj filmin e parë artistikë televiziv, së bashku edhe me Pali Kuken, sipas një skenari të Anastas Kondos.

Ndërrimi i sistemit shoqëror do t’i jepte Artistit Shanaj një hov shpirtëror e artistik. Ne bashkëpunim me bashkëshorten Natasha Lako, poete e skenariste, në vitin 1990 del me filmin “Fletë të Bardha”, që nënkuptonte metaforikisht nismat e reja në një kohë të re të krijimtarisë dhe të realitetit shoqëror. Mirëpo, kishte mbetur akoma një falangë e së vjetrës, gazeta “Zëri i Popullit”, si edhe një Lidhje Shkrimtarësh, që nuk e pranuan filmin e tyre! Vetëm se, një grupim tjetër intelektualësh e artistësh të frymës së re, si Edi Rama, Arben Imami, Artur Zheji, Diana Stillu e të tjerë, e mbrojtën me guxim të hapët  këtë vepër kinematografike të re! Me ta u bashkua edhe regjisori i porsa dalë nga burgu  Mihal Luarasi, me një letër drejtuar Mevlanit personalisht.

Doemos edhe në fshehtësi, në disa çaste kur skenaristja Lako do të merrte edhe kërcënime të hapura. I patërhequr nga idetë e mesazhet e tij të përparuara emancipuese, Mevlan Shanaj, pasi ka realizuar një dokumentar televziv për mjekun e famshëm popullor Arqile Boti, niveli i tij profesional e artistik arrin një kulminacion të vërtetë me filmin “Lulëkuqet mbi mure”, në vitin 2003, që do të pasohet, po me skenar të Natasha Lakos, me  filmin “Lule të Kuqe, Lule të Zeza”, që në vitin 2004 do të çmohet e dekorohet në Shtetin e Nju Jorkut. Kurse filmat  dokumentarë për Ndrekë Lucën dhe Xhanfise Kekon do të marrin edhe një këndvështrim poetik, në kuadrin e përsosjes mjeshtërore dhe estetike, sidomos po të bënim fjalë veçmas për filmin përkushtuar “Pelikulës” së filmave feminor Xhanfise Keko, me një reputacion ndërkombëtar!

Por, ky Mevlan Shanaj-regjisor dhe Natasha Lako-poete e skenariste, do të na jepnin në 2008-ën, një poemë filmike të përbashkët për “Shkronjat e Pavarësisë”, një ndalesë e mrekullueshme, midis fjalës së folur dhe fjalës së shkruar, që sintetizonin artistikisht 700 vjetët e përpjekjeve mbinjerëzore për gjuhën në 40 minuta, me një vizion e poezi të rrallë, për ato shkronja që na sollën dritën e diturisë dhe vlerën e shqiptarizmës. Dhe vetëm në portretet e fiksuara të fëmijëve që shqiptojnë me ngazëllim germat e Gjuhës Shqipe, ka këtu më shumë art e dritësim, sa të gjithë yjet e qiellit shqiptarë të mbledhura bashkë!

Artisti Mevlan Shanaj po nënvizonte tashmë ne ekranin shqiptar kredon e vet, kundër shablloneve  të mëparshme e uniformitetit, kundër trajtës lineare, të drejtpërdrejta, statike e të ngurtësuara të shprehjes kinematografike, shpesh edhe me një digresion e retrospektivë të brendshme, për ta bërë zhvillimin e filmit kompleks, dinamikë, me botë shpirtërore, gjithmonë nën ritmikën e natyrësisë.

Gjithmonë e më tepër kërkon “syrin njerëzor” në portret, në kuadër, në peizazhin që fikson dhe në imazhet e mëpërtejme të sykapjes…Shpesh kujton se e mbaron finalen e filmit, me një kulminacion shprehës, por, do të të befasojë, jo pak herë me gjetjen e dytë kulmore, ca më të bukur akoma,e cila ngrihet si mbivlerë estetike e përfundimtare.

Dhe njeriu Mevlan Shanaj do të mbetej në terë jetën e vet po kaq i thjeshtë, po kaq i mirë, ekspresiv e tërheqës, sa edhe ai studenti që na erdhi dikur nga mjekësia, me ngulmimin që të bëhej artist, sepse e ndjente në brendësinë e vet se ishte artist! Një hero i skenës dhe i ekranit tashmë, pa “bronzin e Heroit”!

Në kundërshtim me ata zyrtarë injorantë, të dikurshëm, të cilët fillimisht e refuzuan që “shëruesi i të sëmurëve” të Patosit të naftëtarëve, të bëhej “karagjoz i miletit”(!), sikundër shpreheshin ata, duke e penguar këmbënguljen pasionante të artistit të ardhshëm me “këmbënguljen” e tyre mjerane. Dhe erdhi tek ne, tok me buzëqeshjen e tij të përjetshme, me vullnetin e jashtëzakonshëm e me një sens shoqëror e etikë miqësore fort të bukur.

E pata si shok qysh në fillim, edhe pse isha pedagogu i tij, edhe atëherë kur nuk e kisha vënë kurrë pijen në buzë e ai donte të më “dehte” me konjakun e Korçës, po edhe tani që ishim bashkë në Fier e Gjirokastër, si kolegë të barabartë, më kujton edhe ca shakara që bënte atëherë, tashmë i çliruar prej ngurtësisë së dikurshme gjithsesi. Po ai, sipas rrethanave, bëhej edhe po kaq nevrik, i hapët, me një nerv të brendshëm, të qetë në dukje, kur padrejtësia e lëndonte, kur sapo shfaqej mediokriteti e injoranca e tjetrit, dogmatizmi e falsiteti.

Ndaj edhe i përqafoi menjëherë ndryshimet e politikës, rënien e sistemit, dhe befas u pa midis studentëve të dhjetorit. Fokusimi i këtij artisti në Lëvizjen Demokratike u bë një ndërgjegjësim shpirtëror i natyrshëm e nuk u habit askush, kur ndër vitet 1992-96 ai do të përfaqësonte Shqipërinë pos-diktatoriale në Suedi dhe fill si kthehet prej andej, ne do të shihnim atë kryevepër kinematografike të tij që e quajti”Rrugët” e ku u shpreh artistikisht bukur ky ndryshim i madh i jetës shqiptare.

E paskëtaj do të ishte një krijues i lirë, do të bëhej vetvetja e do ta shihte anën e tij krijuese, si producent tashmë. Ndërkohë që po ngrihej edhe pinjolli, Joni Shanaj, me filmin e tij “Pharmakon”, një arritje e “Kompanisë Zig-Zag” dhe e drejtuar po prej Mevlanit. Po ky Joni Shanaj, erdhi në jetë prej atij bashkimi harmonik bashkëshortësh, të një jete të gjatë e dashurie të veçantë midis artistit të filmit  dhe poetes Natasha Lako, që do të ishte edhe një bashkudhëtare e krijimtarisë së filmave të tij, si skenariste.

Një romantizëm i paparë i lirikës së tyre të dashurisë është “derdhur” aq bukur në ato vargje të hershme të 16 vjeçares Natasha, tek i shkruante Mevlanit:”20 qindarka për të ardhur tek ty, pesëdhjetë qindarka për të bërë dashuri….”, vargje poetike që u bënë si  himn i të dashuruarve të asaj kohe. Por jeta do të “ecte revan” dhe në auditorët e shkollës nuk do të ishte më student i dikurshëm, erotevmeni (i dashuruari), por pedagogu i Regjisë në Universitetin e Arteve, tashmë edhe me disa urdhra e tituj të lartë të Shtetit, si “Artist i Merituar”, “Mjeshtër i Madh” dhe “Qytetar Nderi i Mallakastrës”.

Rasti i veçantë i këtij artisti, është shëmbëlltyra më e qartë e më e bukur e njeriut që ngrihet në lartësitë e artit të regjisurës pa kryer fakultet regjisure e bëhet pedagog i saj, me një sërë veprash të plota të këtij arti, në saj të talentit vetjak e të absorbimit kulturor, artistik e profesional, brenda e jashtë vendit të vet, që e bëjnë të ndjehet më pastaj krejt i lirshëm edhe tek bisedon me mjeshtra botëror të kinemasë, sikundër është rasti me Michele Placido dhe me të famshmin Gerard Depardien. Ky pra, është Mevlan Shanaj, studenti, artisti dhe njeriu…

 

ObserverKult

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re