Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, në një deklaratë për mediat, ka bërë me dije se i ka kërkuar Komitetit të Ekspertëve të Arsimit, që të zgjatet sezoni i provimeve për studentët, me qëllim që të kenë kohë të përgatiten.

Kushi theksoi se mungesat duhet të mos penalizojnë studentët. Ajo shtoi se kur testi nuk zhvillohet dot online, të bëhet në auditor.

“I jam drejtuar Komitetit për sezonin e provimeve. Do kërkoja nga të gjitha universitetet, që në ato raste kur provimi nuk zhvillohet dot online, provimi të zhvillohet në auditorë, duke respektuar protokollet ndaj Covid. Universitetet të shohin mundësinë që t’ju japin të drejtën studentëve që të marrin pjesë në sezon ose jo.

Të ofrohet mundësia e një sezoni shtesë të ndërmjetëm. Kohëzgjatja e sezonit të jetë më shumë se 45 ditë, që të parandalohet mbipopullimi i universiteteve. Mungesat të mos penalizojnë studentët që bëjnë mësim online. Jo më shumë se 15 studentë në auditorë. Të mbahet maska”, tha Kushi.