Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë shkuar në mënyrë të organizuar për të votuar në zgjedhjet lokale të Kosovës, ku do të zgjidhen kryetarët e rinj të 38 komunave.

Lideri i Listës Serbe Goran Rakiç votoi i pari në shkollën teknike në Mitrovicën e Veriut. Pas tij, votoi edhe kandidati për kryetar të komunës, Millan Radojeviç. Mediat e Kosovës raportojnë se në këtë qendër pati fluks të madh të qytetarëve serbë dhe nuk u respektuan masat anti-Covid.

Pas votimit Rakiç u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin e të votojnë në mënyrë masive, ndërsa tha se pret një fitore bindëse.

“Sipas informatave që kam, qendrat janë hapur me kohë. Votimi po shkon mirë. Siç mund të shihni edhe vet, qytetarët në numër masiv kanë dalë në pikat e votimit, të japin votën e tij, të përdorin të drejtën e votimit, e të përkrahin kandidatët e tyre për kryetarë e asamble. I bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të përdorin të drejtën e votës. Të përdorin të drejtën e të përkrahin kandidatët e tyre. Natyrisht duke respektuar masat epidemiologjike. Është heshtje zgjedhore. Por pres fitore bindëse”, ka thënë Rakiç.

Në komunën e Mitrovicës së Veriut janë hapur të gjitha qendrat e votimit dhe tashmë ka nisur lëvizja e qytetarëve për të votuar.

Në këtë komunë kanë të drejtë vote mbi 17,000 qytetarë, në 7 qendra të votimit, me 23 vendvotime. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), zgjedhjet zhvillohen në 38 komuna të Kosovës, ndërkaq numri i votuesve në këto zgjedhje është 1,885,448.

Ndërkohë, dyzet e njëmijë e dymbëdhjetë është numri i qytetarëve që sivjet kanë mbushur 18 vjeç. Sot, ata do të kenë mundësi të votojnë për herë të parë, në zgjedhjet komunale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re