Ata që janë në vijën e parë të zjarrit, të gjithë kanë nga një histori për të treguar. Që prej 9 marsit jeta e tyre ka ndryshuar rrënjësisht, ashtu si e të gjithë shqiptarëve. Por, nëse ne na duhet të qëndrojmë në shtëpi, ata luftojnë me armikun e padukshëm e që po bën kërdinë gjithandej.

Kjo është nga ato histori njerëzore mjekësh që të bëjnë të mbash frymën, për sakrificën, vullnetin, dashurinë për familjen, por edhe për punën, në kohë koronavirusi.

Nevila Gjermeni është mjeke infeksioniste e repartit infektiv në QSUT. Eshtë doktoresha e parë që u vu në kontakt me pacientin ZERO, e që atë ditë, jeta e saj ka marrë një drejtim tjetër. Në kohën kur Shqipëria po merrte masat e para për të gjurmuar nëse coronavirusi kishte mbërritur apo jo në Shqipëri, mjekja infeksioniste, ishte në pararojë të qetësimit të popullatës dhe masave që duhet të merrte secili në familje.

Paskësaj, pas rënies në kontakt me pacientin zero dhe gjurmimin e rasteve të tjera, jeta e saj ndryshoi. Dhe jo vetëm. Bashkë me të, u bashkua edhe Arbëri, bashkëshorti i saj, i cili, është mjek reanimator, por që doli vullnetar për t’u bashkuar me mjekët e repartit infektiv në QSUT për të pritur pacientët me koronavirus.

Historia e tyre do të ishte si historia e çdo mjeku dhe infermiereje të repartit infektiv. Por ka një të veçantë. Çifti ka 2 fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Sot, mbushen plot 40 ditë që të dy prindërit, nuk kanë parë fëmijët e tyre.

Vajza e vogël është 14-muajshe. Nevila e la vajzën e vogël me prindërit e saj kur ajo nuk kishte filluar të ecë. Ndërsa sot, nëpërmjet telefonit, e sheh vajzën e vogël që ka filluar të hedhë hapat e parë. Nevila e ka humbur këtë ndjesi.

Ndërsa nesër djali i çiftit mbush plot 10 vjeç. As nëna, e as babai nuk do të jenë me të të festojnë ditëlindjen. Dy ngjarjet kryesore për dy fëmijët e vet, çifti Gjermeni i humbi, për të parë emocionet, lotët e gëzimit dhe dashurinë e prindërve për fëmijët.

Kanë një tjetër sfidë: atë të përballjes plot me sakrifica me koronavirusin, dhe me pacientët me covid. Askush prej tyre nuk di të thotë sesa do të zgjasë kjo histori dhe kur do të ritakojnë fëmijët e tyre.

Veçse, kur të kthehen në familje, me gjasë, kanë fituar ndaj koronavirusit, i kanë shërbyer njerëzve që kanë pasur më shumë nevojë në këto kohë të vështira, por, kanë humbur, dy ngjarjet kryesore me fëmijët e tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re