Komuniteti i biznesit është i shqetësuar për rolin që i jep shteti administratës tatimore për të ndërhyrë edhe në llogaritë bankare të ortakut apo aksionerit, në rast se shoqëria nuk shlyen detyrimet fiskale.

 

22 shoqata biznesi janë unifikuar në qëndrimin e tyre, ku nëpërmjet një letre dërguar ministrisë së financave e kanë konsideruar si të papranueshme këtë praktikë, pa patur më parë një vendim gjykate.

 

“Të gjithë së bashku e kanë konsideruar të papranueshëm cënimin e llogarive personale të administratorit, ortakut dhe aksionarit të kompanisë lidhur me detyrimin tatimor të kompanisë pa patur një vendim të formës së prerë të gjykatës i cili ngarkon me përgjegjësi individuale për pagesën e detyrimeve tatimore, thuhet në letrën që biznesi i ka dërguar ministrisë.”

 

Referuar udhëzimit të miratuar, parashikohet se, nëse ndaj subjektit janë ezauruar të gjitha masat shtrënguese për mbledhjen me forcë të detyrimeve, përfshirë edhe shitjen e pasurisë së sekuestruar, por ende nuk është shlyer pagesa, atëherë tatimet e transferojnë këtë borxh tek aksioneri, ortaku, apo administratori.

 

Fillimisht administrata nxjerr urdhër bllokimi të llogarive bankare. Pikërisht këtë paragraf biznesi kërkon ta ndryshojë;

 

“Administrata Tatimore duhet të kërkojë në rrugë gjyqësore transferimin e detyrimit tatimor të personit juridik tek ortakët, aksionarët dhe tek administratorët e personit juridik.”

Ministria e ndërmori këtë nisëm me qëllim reduktimin e detyrimeve të papaguara që biznesi ka ndaj administratës tatimore. Por mbetet për t’u parë nëse ministria do të reflektojë pas kundërshtimit në unanimiteti nga komuniteti i biznesit.