Mot i acartë dhe reshje dëbore pritet të sjellë moti në vijim, në vendin tonë. E shtuna në Tiranë, ka nisur me temperatura të ulëta, dhe reshje të shumta shiu.  Lëvizjet e qytetarëve kanë qenë të pakta.

Por situata pritet të ndryshojë gjatë orëve të mbrëmjes. Sinoptikanët kanë parashikuar se do të bjerë borë në kryeqytet.

Meteologia Lajda Porja thotë se dëbora do të jetë prezente edhe gjatë ditës së dielë me një trashësi rreth 3 cm, e pazakontë për kryeqytetin.

“Duke qenë se reshjet janë prezente në territorin e vendit, gjatë mbrëmjes dhe nesër në mëngjes pritet që 95 % e vendit të përfshihet nga reshjet e borës.  Bora, përveç zonave malore, do të përfshijë Durrësin dhe Tiranën deri në 3 cm”, ka thënë Porja.

Kujdes duhet të bëjnë qytetarët që do të zgjedhin malin e Dajtit për të kaluar këtë të dielë. Atje kanë filluar reshjet ndërsa trashësia e dëborës pritet të shkojë rreth dhjetë centimetra.

Forcat e emergjencave kanë hedhur kripë në rrugë për ta mbajtur atë hapur për drejtuesit e mjeteve.

Temperaturat në fillim të javës do të shkojnë në kryeqytet deri në -5 gradë celcius. Kjo situatë do të do të jetë deri në datën 22 shkurt. Më pas pritet një përmirësim i lehtë i temperaturave të ajrit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re