Instituti Hidrometorologjik i Kosovës (IHK) bënë të ditur se pas reshjeve të shiut dhe borës në disa pjesë të vendit ka pasur vërshime. Sipas parashikimeve të IHK-së, pritet që edhe gjatë ditëve në vazhdim të ketë reshje në tërë vendin.

IHK përmes një njoftimi bën të ditur se situata hidrometeorologjike në Kosovë, gjatë këtyre ditëve është e rënduar si pasojë e reshje të shiut me intensitet më të theksuar në Dukagjin, por edhe në pjesë të tjera të vendit, e cila ka shkaktuar ngritje të nivele nëpër lumenj.

“Më i atakuari është sistemi lumor i Drinit të Bardhë, ku nivelet kanë arritur kuotat maksimale, e disa prej tyre kanë shkaktuar vërshime (Drini Bardhë, Ereniku, Bistrica e Pejës Bistrica e Deçanit, Mirusha, Toplluha) pastaj në pellgun e Ibrit lumenjtë: Ibri, Sitnica, Drenica me degët e tyre”, thuhet në një njoftim për media të IHK.

Edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) përmes një njoftimi për media të shtunën ka bërë të ditur se pas gjendjes së krijuar me reshjet në nivel vendi, ka ngritur gjendjen e gatishmërisë, ku gjatë orëve të vona ka realizuar operacionet e kërkim – shpëtimit në disa lokacione ku është rrezikuar jeta e qytetarëve.

Operacionet thuhet se janë realizuar me sukses dhe kanë arritur të evakuojnë qytetarë të ngujuar në shtëpitë e tyre.

Komuna e Gjakovës ndërkaq ka njoftuar se rreth 70 banorët e evakuuar më 8 janar nga lagjja “Shotë Galica” në Brekoc të Gjakovës, janë strehuar përkohësisht në ambientet e Aeroportit të Gjakovës.

Në anën tjetër, rrjetet sociale, Zjarrëfikësit e Kosovës kanë postuar disa fotografi ku shihen duke ndihmuar qytetarët.

Komuna e Malishevës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se rruga që lidhë fshatin Rud të Malishevës me fshatin Sferkë të Klinës, është dëmtuar dhe është tërësisht e pakalueshme./Rel

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re