Për shkak të shirave shoqëruar me erë të fortë, fshatrat e njësisë administrative Mollas në Bashkinë Kolonjë, janë pa energji elektrike. Sipas prefektit të qarkut të Korçës, Dhori Spirollari, kjo situatë është krijuar për shkak të një defekti të ndodhur në një nga fidrat e kësaj njësie dhe po punohet nga grupet e OSHEE për riparimin e defektit.

 

Me probleme sa i përket furnizimit me energji elekrike, janë edhe fshatrat e njësisë administrative Velçan dhe disa fshatra të tjerë të zonës së Mokrës në Pogradec. Nga ana e administratorit të njësisë Moglicë në Bashkinë e Maliqit, Fetah Hoxha, bëhet me dije se me probleme të energjisë elektrike janë fshatrat Kodras, Protopapë, Peshtan, Osoj e Gjinikas, ndërkohë që fshati Gjergjevicë i njësisë Lekas, ka pesë ditë pa energji elektrike.

 

Administratori i kësaj njësie, Elson Ruka, tha se për shkak të reshjeve të shumta ka pasur probleme të herëpashershme edhe në fshatra të tjerë të kësaj njësie administrative. Me probleme të energjisë elektrike janë edhe fshatra të njësisë Vithkuq, Bashkia Korçë.

 

Burime zyrtare bëjnë me dije se grupet e OSHEE janë në terren prej ditësh, për riparimin e defekteve, kryesisht në linjat e tensionit të ulët, pasi ka linja të këputura, por edhe shtylla të energjisë elektrike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re