Kreu i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku në një lidhje për Fax News, ka folur në lidhje me kërkesën që i është bërë institucioneve më të larta të shtetit për të ndërprerë procesin e fiskalizimit.

Sipas tij kjo kërkesë është bërë për shkak se institucionet dëshmuan paaftësi për të mbrojtur të dhënat e qytetarëve dhe bizneseve. Buxhuku tha se në rast se do të kishte një rrjedhje të sekreteve tregtare te konkurentët, kjo do të sillte falimentimin e bizneseve.

‘Nëse do të vijonin që të mblidheshin të dhëna nga bizneset, do të kishte pasoja të rënda, deri në prekjen e sigurisë kombëtare. Janë gati 30-40 kompani ndërmjetëse, të cilat në kohë reale janë në dijeni të çdo operacioni tregtar.

Më mirëkuptoni që aktivitetet kanë sekretin e tyre tregtarë, dhe është goditje direkte e konkurencës. Mjafton që një kompani të hyjë në serverin e AKSH-it, dhe praktikisht mund të çojë deri në falimentimin e bizneseve. Këto agjensi e kanë të pamundur që rrjedhja e të dhënave të ndalë spiunazhin tregtar’, tha Buxhuku.

Në lidhje me procesin e fiskalizimit, Buxhuku tha se nuk kanë munguar problemet teknike.

“Është një problematikë mjaft serioze, dhe nuk është marrë në konsideratë nga institucionet shqiptare. Ekspozimi i bizneseve të mëdha, është rrezik eksponencial për funksionimin e tyre. AKSHI e ka të pamundur që të ruajë të dhënat, aq më pak përmes kompanive ndërmjetëse që merren me fiskalizimin”, u shpreh më tej Buxhuku.

Kreu i Konfindustrisë tha më tej se çdo shtet normal, përpara se të niste një proces të tillë si ai i fiskalizimit, duhet që të jetë garant në mbrojtjen e të dhënave të grumbulluara.

Sipas Buxhukut në rast se bizneset do të falimentonin për shkak të rrjedhjes së të dhënave, atyre do tiu lindtte e drejta që ti dërgonin në gjyq institucionet , dhe fatura për shtetin shqiptar do të ishte shumë e lartë.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re