102 familje në zonën e Bubqit të Bashkisë Krujë do të futen sot në shtëpitë e tyre të reja të rindërtuara pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019.

Ndarja e banesave të reja është bërë ditën e sotme me short publik, ku familjet do përzgjedhin në mënyrë transparente banesën e tyre sipas ndarjeve të caktuara për frymë 1+1, 2+1 dhe 3+1, të cilat janë apartamente dhe banesa individuale. Në njësinë Administrative Bubq shorti u hodh pranë Palestrës së Shkollës “Selman Daci”.

Por kishte edhe nga ata banorë që janë të pakënaqur sepse nuk pranojnë që të largohen nga fshati. Për mikrofonin e “Fax News”, një bujk kërkon që autoritetet t’i ndërtojnë shtëpinë e re në fshat pasi jetesa e tij lidhet me bagëtinë dhe bujqësinë duke thënë se e ka të pamundur për të jetuar në qytet.

“Sot kemi dalë për të marrë shtëpitë, na i ka shembur tërmeti. Faleminderit shumë kryeministrit, kemi marrë banesë 1+3 sepse jemi 6 vetë brenda shtëpisë. Jemi shumë të kënaqur sepse shtëpitë nuk na i shembi ai por natyra. Jemi të kënaqur me shtëpinë e re”, tha një e moshuar.

“Shtëpitë i kemi falas por nuk vijmë këtu në qytet sepse nuk kemi cfarë të bëjmë këtu. Ne kemi bagëtitë në shtëpi me ato jetojmë, a jetohet me 150 mijë lekë nuk na dalin as për ilace. Si të rrojmë këtu? Kurse në fshat kiemi një lopë ose pulë sa për të jetuar”, tha një grua pensioniste.

“Unë jam me lopë me bagëti në oborr. Skam ku e lë bagëtinë unë dhe të vij në qytet. Unë jam bujk. Edhe po më caktuan shtëpinë këtu në qytet unë nuk vij sepse jam bujk kam bagëti, unë ja kam thënë por ata stë besojnë thonë hajde këtu”, thotë një banor./faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re