Është ndarë nga jeta në moshën 63-vjeçare ish-rektori i Universitetit Aleksandër Xhuvani në Elbasan, Liman Varoshi.

Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare në rrjetet sociale, e fakultetit, ku ndër të tjera i shprehet ngushëllime familjarëve e miqve të tij.

Profesori i mirënjohur në qytetin e Elbasanit, por jo vetëm, prej vitesh vuante nga një sëmundje e rëndë.

Po kush ishte pro. dr. Liman Varoshi:

Liman Varoshi u lind në 15 nëntor 1958. Në vitin 1978 nisi studimet universitare dhe në vitin 1983 u diplomua si “Mësues për shkollën e mesme, me specialitet Histori-Gjeografi”, në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Histori-Filologji.

Pas diplomimit punoi si mësues i historisë në Mirditë, më pas në Belsh, në shkollën e mesme të përgjithshme “Ndriçim Shehu” dhe më pas për një vit si metodist i lëndëve shoqërore pranë Seksionit të Arsimit, Elbasan.

Që nga viti 1991 deri në vitin 1993 ai shërbeu si drejtor i Muzeut Historik të rrethit Elbasan. Dhe po këtë vit, 1991, ai nisi edhe angazhimin universitar në Universitetin “A.Xhuvani”, në fillim i përfshirë me kohë të pjesshme dhe më pas, që nga viti 1993 si pedagog me kohë të plotë në departamentin e historisë, pranë këtij universiteti. Fusha e tij kërkimeve shkencore ishte, më së pari muzeologjia, por edhe historia e Ballkanit, historia bashkëkohore, historia e diasporës, dhe ishte njëherësh edhe titullar i kurseve universitare të këtyre fushave.

Veçanërisht profesor Varoshi ishte një studiues i palodhur i historisë së Elbasanit dhe një nga njohësit më të mirë të kontributeve historike, politike dhe arsimore në dy shekujt e fundit të këtij qyteti.

Pasionin dhe detyrën e tij për kërkimin shkencor e zhvilloi vit pas viti duke marrë gradën “Doktor i Shkencave” në vitin 1999, titullin “Profesor i Asociuar”, në vitin 2004 dhe “profesor” në mars të vitit 2012.

Ai ishte një ligjërues akademik me zotësi të spikatura, i njohur për forcën e argumentit, saktësinë e faktit historik dhe prirjen për përgjithësime të lëvizjeve politike.

Ai mbajti leksione jo vetëm në Universitetin e Elbasanit, por edhe atë të Tiranës, por edhe në Universitetin e Tetovës, ishte hartues dhe referues i ciklit të leksioneve “Rilindja Ballkanike, paralele, specifika”, mbajtur në Universitetin e Veliko Tërnovo-s, Bullgari; ka mbajtur leksione mbi vlerat historike dhe arkitekturore të objekteve të kultit në trevën e Elbasanit, mbajtur me studentët e magjistraturës (në fushën e inxhinierisë arkitekturore) të Universitetit të Pavia-s, Itali; po ashtu ka zhvillua lektoriume edhe në në Universitetin Ludëig-Maximilian, Mynih, Gjermani.

Karriera universitare e profesor Varoshit nisi me zgjedhjen e tij si drejtues i departamentit të historisë dhe edukimit civil nga viti 1996 deri në vitin 2000. Që nga viti 1999 deri në vitin 2008 ishte edhe anëtar i senatit akademik të Universitetit “A.Xhuvani”.

Nga viti 2000 e deri në vitin 2008 ishte zëvendësrektor i këtij universiteti. Që nga viti 2008 e deri në vitin 2016, për dy mandate, ishte rektor i këtij universiteti e njëherësh edhe drejtues i senatit akademik.

Profesor Varoshi ishte edhe një autor i mirënjohur tekstesh e monografish. Ai është autor i “Një hapësirë më shumë në formimin historik”, botuar në vitin 2003, shtëpia botuese “Sejko”; “Ballkanet mes tri perandorive”, shtëpia botuese “Naimi”, botuar në vitin 2010; “Lufta e ftohtë” në Europën e Lindjes, shtëpia botuese “Naimi”, botuar në vitin 2010; “Europeizmi si histori mendimi”, shtëpia botuese “Naimi”, botuar në vitin 2012. Botimi i fundit i profesor Varoshit ishte “Dukuri dhe personalitete në albanologji”, në bashkautorësi.

Ndahet nga jeta prof.dr. Liman Varoshi

Është ndarë nga jeta prof.dr. Liman Varoshi.

Pas një sëmundje të pashërueshme,…

Posted by Universiteti “Aleksander Xhuvani” Elbasan – Faqja Zyrtare on Friday, March 19, 2021

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re