Kreu i qeverisë Edi Rama është ndalur sot në Vlorë, ku po zhvillon një takim me banorët e qytetit bregdetar, të cilëve u kërkon një mandat të tretë qeverisës, që sipas tij i duhet për të çuar në fund projektet e nisura.

Rama tha se investimet në Vlorë do të kenë ndikim të drejpërdrehtë në ekonomi, dhe çdo para e investuar në aeroporte apo porte do të shumëfishojë të ardhurat te qytetarët.

“Krijimi vendeve të reja të punës, me paga më të larta. Kjo bëhet përmes investimeve duke rritur mundësitë dhe Vlora i ka shumë. Tani shpresoj të kemi fituesin e për aeroportin e Vlorës dhe portit të ri turistik që shpresojmë të ndërtohet së shpejti.

Do të krijojnë një impakt shumë të rëndësishëm ekonomik dhe do të krijojnë vende pune. Na thonë njerëzit ‘s’kanë bukë ‘dhe ti na sjellë ‘aeroporte’, por në fakt aeroporti është ai që sjell bukë. Sjellin konsumatorë, njerëz që duan të hanë, të konsumojnë, duan të shikojnë në hapësira kulturore, etj.

1 euro e investuar në një aeroport sjell 24 euro të tjera. Është një zinxhirë i tërë vlerë që krijohet.  Porti turistik është ndryshe por çon në të njëjtin drejtim. Gjatë sezoneve portet turistike sjellin konsumatorë që shpenzojmë shumë.  Ne jetojmë në një fazë historike ku trendi i largimi të njerëzve nga vendi, është negativ, në sensin që më shumë ikin se vijnë”, tha Rama gjatë fjalës së tij.

Ndërkohë që ministri Damian Gjiknuri tha se projektet mund të çohen deri në fund vetëm përmes Edi Ramës.

“Ju pëlqen apo jo e vërteta kjo është, Rama ka bërë realitet ndryshimin në Vlorë. A i kemi bëre të gjitha? Po ne prandaj duam të nisim punët që kemi nisur. Ne kemi paratë për rrugën Radhimë-Orikum, por edhe për rrugën e Selenicës, janë gjetur lekët. I bëj thirrje kryebashkiakut të Selenicës të ftojë presidentin e Republikës, të mos vijnë fshehurazi në Vlorë, por bashkë të inaugurojmë punimet. Nëse bëhet vepra, atëherë hajde sepse kështu e ka burrërinë Vlonjati, nëse vjen fshehurazi për politikë turp t’i vijë”, tha Gjiknuri.

Sakaq, më herët në një postim në rrjetet sociale, Gjiknuri dha lajmin se brenda disa javësh pritet të nisin punimet për rikonstruksionin e segmentit Peshkëpi – Selenicë, teksa iu përgjigj edhe kritikëve me këtë mesazh:

“Ata që tentuan ta bllokojnë investimin dhe nxituan të akuzojnë qeverinë se ka vendosur ta lërë mënjanë Selenicën janë të ftuar të jenë prezent në fillimin e punimeve, pavarësisht bindjeve apo interesave politike”, tha Gjiknuri.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re