Ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor u takuan virtualisht këtë të martë, në kuadër të Procesit të Berlinit, duke u fokusuar në cështjet e integrimit të rajonit në Bashkimin Europian.
Shefi i diplomacisë gjermane, Haiko Mas deklaroi se negociatat e anëtarësimit për Tiranën dhe Shkupin pritet të hapen në gjysmën e dytë të këtij viti ndërsa problematika kryesore tashmë mbetet zgjidhja e mosmarrëveshjeve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
HEIKO MAAS
MINISTER PER EUROPEN, GJERMANI
“Çdokush që ka plotësuar parakushtet për negociatat e anëtarësimit, nuk duhet të privohet nga mundësia për tu anagazhuar në këto negociata. Gjatë presidencës tonë të këshillit ne kemi ndërmjetësuar për zgjidhjen e problemeve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, por pa rezultat. Presidenca portugeze vazhdoi përpjekjet tona me propozime të reja ndërkohë jemi në dialog të ngushtë me Slloveninë në mënyrë që të krijojmë premisat që me çdo kusht të hapen konferencat e para ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në gjysmën e dytë të këtij viti, nën kryesimin e presidencës nga Sllovenia. Unë jam optimist se këtë do ta realizojmë, edhe pse është e vështirë dhe po zgjat më shumë se ç’duam.”
Ministri Mas gjithashtu nënvizoi se rajoni ka dërguar sinjale tejet pozitive në angazhimin për të luftuar korrupsionin dhe për të vijuar reformat e nisura, prandaj unioni ka garantuar mbështetje të mirë financiare e cila do të vazhdojë për aq kohë sa vendet e vazhdojnë me seriozitet angazhimin e tyre në këtë drejtim.
“Procesi i Berlinit e përmbushi misionin e riafrimit të rajonit me unionin duke i ofruar një platformë mbi të cilën do të mund të ndërmerren hapat e mëtejshëm. Ne e kemi bërë gjithmonë të qartë se reformat do të mbështeten, sepse lufta kundër korrupsuionit është jetike në mënyrë që t të krijohen kushtet e kërkuara dhe paratë e investuara në rajon të shkojnë atje ku janë nisur.”
Maas përmendi gjithashtu edhe arritjet e Procesit të Berlinit, duke e cilësuar një hap historik marrëveshjen e planveprimit për krjimin e një tregu të përbashkët rajonal, që u arrit vitin e kaluar, në samitin e Sofjes. Ai përmendi edhe heqjen e tarifave të roamingut të telefonisë, si diçka pozitive si edhe shkëmbimet e të rinjve në kuadër të Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit të Rinisë. Por ai vuri në dukje se ka ende hapa për të bërë për të realizuar marrëveshjet e tjera të arritura, si lëvizja e lirë dhe njohja e ndërsjellë e diplomave profesionale.
Samiti i fundit në kuadër të procesit të Berlinit do të mbahet më 5 korrik nën drejtimin e kancelares gjermane, Angela Merkel.
