Ish anëtari i Partisë Demokratike, Edvin Kulluri, i ftuar në emisioni ‘Aktualitet’ në televizionin FaxNews, ka shprehur opinionet e tij në lidhje mbi zgjedhje e ardhshme parlamentare, si dhe ka prekur pikat ku ai ndahet me Partinë Demokratike.

Kulluri u shpreh se nuk bie dakort me mënyrën si Lulzim Basha sulmon kundërshtarët e tij politik. Ai gjithashtu theksoi se në skenën politike nuk ka më një debat ideologjik, por janë një establishment që kontrrollon paratë e shqiptarëve dhe i ndan midis tyre. Për sa i përket zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ish-demokrati deklaroi se ai nuk preferon të zgjedhë të keqen më të vogël por kërkon një alternativë ndryshe.

“Ne sot jemi në një ngërç të madh që sistemi i drejtësisë është në kolaps dhe për këtë nuk e ka fajin klasa politike shqiptare. Ne i kemi deleguar kompetencat diku tjetër, arkitektura është drejtuar prej tyre.

Unë nuk kam asnjë armiqësi personale me askënd, as me Lulzim Bashën. Kjo parti është drejtuar shumë keq. Një portal i Lulzim Bashës, që drejtohet nga një ish-këshilltar i Fatos Nanos, sot shpifte në mënyrë të hapur ndaj Jozefina Topallit, duke i bashkangjitur një kriminel me të njëjtin mbiemër nga Fushë-Kruja si të afërm të ish-deputetes. Unë nuk mund të jem në krah të dikujt që sulmon në këtë mënyrë kundërshtarët e tij. Unë po flas për principe.

Principi është ky, që kryetari merr para nga oligarkë të cilët i sulmon për ditë. Partia është në një kakofoni ideologjike, nuk është as liberale as konservatore dhe as e djathtë.

Nëse shqiptarët duhet të zgjedhin të keqen më të vogël, unë nuk pajtohem me këtë. Shantazhi që u bëhet shqiptarëve nga Lulzim Basha, të vi unë ose të rri Edi Rama, nuk sjell ndryshim. Këtu nuk ka më debat ideologjik, thjesht janë disa persona që shahen midis tyre. Këta janë një establishment, një grup njerëzish që administrojnë paratë e qytetarëve dhe i ndajnë midis tyre”.- tha Kulluri. (F.M/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re